STATISTIKAT E TIRANA-EGNATIA/ Përballje dhe rezultate historike, rikthim në Kupë pas… 23 vitesh

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 1, 2023 | 13:59

STATISTIKAT E TIRANA-EGNATIA/ Përballje dhe rezultate historike, rikthim në Kupë pas… 23 vitesh

Për Tiranën dhe Egnatian, në duelet direkte për Kupën, historia ka nisur më 12 gusht 1990. Kjo është data e përballjes së parë dhe të vetme deri më sot në Kupat e Shqipërisë mes Egnatias dhe Tiranës.

TIRANA EGNATIA

Ishin të dyja skuadrat pjesë e grupit të 4-t, ku shumë interesante ishte renditja pas të gjitha ndeshjeve të grupit që u luajtën me një takim. Në këtë edicion të 38-të të Kupës kualifikoheshin dy vendet e para për çdo grup që kishte nga 6 skuadra. Kastrioti u rendit e para. Tirana në vendin e dytë kaloi në turin e parë dhe pas tyre ishin Butrinti, Ballshi i Ri (Bylisi), 21 Shkurti i Selenicës dhe Vullneti i Rrogozhinës (sot quhet Egnatia).

Tirana luajti ndeshjen e parë në grup pikërisht ndaj Vullnetit, në “Selman Stërmasi”. Duhet pranuar se deri në këtë periudhë ekipi rrogozhinas ishte krejt modest. Prandaj dhe Tirana fitoi me rezultatin e thellë 7-1 dhe e ktheu ndeshjen thuajse si një “seancë stërvitjeje”. Golat për Tiranën u shënuan nga Krenar Alimehmeti 13′, Arben Minga 14′, Ervin Lamçe 27′, Renis Hyka 30′, Blendi Sokoli 53′, Florian Riza 56′ dhe Frenkli Dhales 85′. Ndërsa për Egnatian shkurtoi diferencën e golave, ose më mirë të themi shënoi të ashtuquajturin gol të nderit, Agron Kërçova, në minutën e 51-të, lojtar ky i ardhur nga Teuta dhe që sot është në pozicionin e trajnerit të Kombëtares U-17 të Shqipërisë.

FINALJA E PARË – Në 21 edicione që kanë shkruar emrin e tyre si pjesëmarrës në Kupën e Shqipërisë, vetëm dy edicionet e fundit mund të veçohen për Egnatian me histori suksesi. Në 2022-shin kaluan për herë të parë në çerekfinale, ndërsa këtë edicion i morën të tria shkallët e ngjitjes së tyre një e nga një. Pas çerekfinales, ku eliminuan Laçin 0-0 në Rrogozhinë dhe 3-0 në Laç, si dhe në gjysmëfinale Vllazninë 1-1 në Shkodër dhe 1-0 në Rrogozhinë, sot radhën e ka finalja e parë ndaj Tiranës më 1 qershor. Sigurisht që nuk do të jetë e lehtë, por rrogozhinasit e kanë të qartë se “të guxosh nuk është asnjëherë e ndaluar”. Prandaj dhe duan që kupa e këtij edicioni pse jo të shkojë për herë të parë në qytetin e tyre të vogël, por shumë futbolldashës.

PËRBALLJET – Asnjë fitore. Një barazim i vetëm i regjistruar sezonin e kaluar dhe 11 humbje. Përballë këtyre shifrave “të frikshme” Egnatia sfidën finale të Kupës së Shqipërisë sot me Tiranën duket qartë se e ka me risk të lartë. Sigurisht do të përpiqet më së paku të luftojë edhe për të “vrarë” tersin e kësaj historie përballjesh direkte në kampionat që nuk e favorizojnë në asnjë drejtim.

statistika (1)

stat (1)

1 (1)

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"