Statistikat/ Faza e parë tregues i rritjes së kavajasve, Besa ka 15 pikë më shumë se sa vjet
Besa e drejtuar nga trajneri Mirel Josa e mbylli fazën e parë të sezonit 2024-2025 në vendin e tretë me 25 pikë. Kavajasit janë skuadra e vetme që nuk e kanë provuar humbjen në 11 javët e para në Kategorinë e Parë, pasi kanë marrë 7 fitore dhe 4 barazime dhe me golavarazh pozitiv, 19 gola të shënuar dhe 2 të pësuar.
3 pikë është diferenca me dy kryesueset, Flamurtari-Vora, dhe duke ditur se janë në lojë edhe 22 javë të tjera, misioni Superiore është më se i arritshëm për verdhezinjtë. Po të krahasosh ecurinë e kësaj Bese me atë të sezonit të shkuar, pas 11 javëve të para, ndryshimi është galopant. Skuadra e Josës ka 15 pikë më shumë sesa kishin vjet kavajasit, që e mbyllën fazën e parë në vendin e nëntë me 10 pikë.
Gjatë fazës së parë të edicionit të shkuar, kavajasit morën 3 fitore, 1 barazim dhe 7 humbje dhe golavarazh, negativ 8-18. Ndryshimi është i dukshëm dhe në Kavajë shpresojnë që ky është sezoni i duhur për t’u ngjitur në elitë.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"