Stërvitje 100% taktike, Martini “skalit” mbrojtësit para Skënderbeut
Trajneri i Teutës, Edi Martini, në takimin që ka pasur me lojtarët para seancës së radhës stërvitore, ka biseduar me ekipin për të vlerësuar në maksimum ndeshjen e radhës kundër Skënderbeut, që ka një grup shumë të mirë lojtarësh dhe mund t’u hapë punë durrsakëve. Tri pikët janë objektivi kryesor, pasi në kampin durrsak do të kthehej qetësia.
Teuta vjen pas barazimit ndaj Partizanit dhe tashmë kanë një tjetër përballje delikate ndaj korçarëve. Skuadra dje ka vijuar përgatitjet për ndeshjen ndaj korçarëve në Durrës. Blutë dje kanë zhvilluar stërvitje me ngarkesë të plotë, ku taktika dhe shpjegimet në fushë nga Martini kanë zënë një vend të rëndësishëm.
Atmosfera në kampin e kampionëve është harmonike, teksa trajneri, stafi i tij dhe lojtarët shoqërojnë çdo seancë me të qeshura, humor me njëri-tjetrin dhe ndërveprim maksimal në çdo ushtrim që kryhet.
SEANCA – Pas një vrapi të lehtë, lojtarët nisën me ushtrime atletike dhe veprime për muskujt. Gjithçka nisi me kuadrat vetëm dy takime dhe dy lojtarë rrinin në mes për të fituar topin. Të qeshura të shumta dhe batuta kishte në momentin e kuadratit, por edhe mosdakordësi sa i përket prekjeve të topit.
Pas pjesës së parë të seancës, e cila shërben për ngrohjen e muskujve, Martini mori me vete mbrojtësit, mesfushorët dhe sulmuesit më të dalluar, si Kotobelli, Jazxhi, Marku, A.Peposhi, Kruja, Lloci, Beqja, Mingo apo Karabeci, ku zhvilloi një stërvitje të ngadaltë që kishte të bënte me anën taktike.
Ai kishte vendosur gjashtë barriera në formë lojtari dhe një për një i udhëzonte lojtarët sesi duhet të pasonin apo vertikalizonin në situatat që mund të ndeshen. Në fund trajneri zhvilloi edhe një minindeshje. Sa i përket dëmtimeve, Simue vijo i veçuar, teksa e njëjta gjë vlen edhe për Vilën.
Z.QYPI-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"