Stoli i Lushnjës bind në miqësoren kundër Tomorit. U luajt pa praninë e autoambulancës dhe forcave të sigurisë
Tomori ka zgjedhur fqinjët e Lushnjës për të luajtur miqësoren e kësaj jave pushimi. Loja është zhvilluar e bukur dhe plot emocione, ndonëse është evidentuar që në startin e takimit se të dyja skuadrat kanë hedhur në fushë formacionet e dyta.
Kjo për t’i lënë pushim titullarët gjatë fraksionit parë. Miqtë kanë marrë iniciativën për të sulmuar që në fillim. Olola nga e djathta dhe Majkëll nga e majta, nisën të shpërthenin me sulmet e tyre të njëpasnjëshme, për t’i shërbyer Kaçanollit në majë të sulmit, si dhe Balit me Hysën që vinin pas shpinës së tij. Pas disa tentativave radhazi, është Majkëll që finalizon në të 9-ën për miqtë. Furia e sulmeve të Lushnjës nuk ndalet, ku portieri Zema në disa raste eviton gola të sigurt. Beratasit zgjohen ndërkohë dhe dyshja Arbëri-Buda insistojnë për golin e barazimit, por topat e tyre ndalen nga ndërhyrjet e portierit Hoxha. Në të 26-ën, pas një aksioni model të miqve, Olola finalizon golin e dytë. Pas sulmeve të vazhdueshme mbërriti edhe goli i tretë për lushnjarët
. Në minutën e 38-të, Kacanollin realizon pas një aksioni të shpejtë në një pozicion diagonal brenda zonës nga e djathta e sulmit. Tomori, me futbollistët e rinj dhe pa eksperiencë, nuk e përballon dot trysninë e ushtruar nga Lushnja, por gjatë një aksioni me protagonist dy sulmuesit e rinj Arbëri-Buda, ky i fundit realizon mjaft bukur brenda zonës, duke shkurtuar shifrat në 1-3. Me këtë rezultat u mbyll pjesa e parë, por mbeti në fuqi edhe në pjesën e dytë, ndonëse beratasit hodhën në fushë disa futbollistë titullarë. Përpos këmbënguljes dhe rasteve të shumta për shënim, kryesisht nga vendësit, skuadrat nuk e gjetën më rrugën e rrjetës.
Pikantet- Gjatë kësaj miqësore, ka munguar prania, qoftë edhe simbolikisht, e forcave të sigurisë, si dhe autoambulanca që është konsideruar nga shikuesit e paktë si një domosdoshmëri. Sakaq, në tribunën qendrore ishin dy futbollistë të njohur dhe shokë skuadre te Tomori, si Ervis Çaço dhe Mikel Canka. Ata e kanë ndjekur takimin së bashku. Falë marrëdhënieve të ngushta dhe miqësore midis dy skuadrave, miqësorja është karakterizuar nga një “fair play” i vërtetë.
TOMORI – LUSHNJA 1 – 3
GOLAT: Buda 40′ / Majkëll 9′, Olola 26′, Kacanaolli 38′
TOMORI: Zema, Bazaj, Kanapari, Sadiku, Vrapi, Deliu, Lajthia, Feirrera, Lirëza, Arbëri, Buda;(U aktivizuan: B. Mesiti, F. Mesiti, Saraci, Basha, Skënderaj, Kumani, Gabriel, Kulaj, Toska, Henrike, Hamzai, Nona, Vrenozi, Shahollari). Trajner: Iken Droboniku
LUSHNJA: Hoxha, Muçaj, Kiptiu, Disha, Deliaj, Jonuzi, Bali, Hysa, Olola, Majkëll, Kaçanolli;(U aktivizuan: Shurdhi, Pepa, Bullari, Tarko, Zgjana, Dedej, Shebeja). Trajner: Erjon Xhafa
Gjyqtarë: K. Berberi, F. Shuka (Berat), M. Biti (Lushnjë)
Droboniku: Ja qëllimi i testit
Iken Droboniku, trajneri i Tomorit, pas testit për “Panorama Sport” tha: “Qëllimi ka qenë që jo vetëm të mbajmë skuadrën të angazhuar me ritmin e lojës në kampionat, por edhe t’u japim mundësi futbollistëve të stolit. Ata duhet të kuptojnë se vetëm nëpërmjet punës do të rriten nga ana profesionale dhe jo të vetëkënaqen me minutat e një ndeshje. Zhvilluam dy pjesë të ndryshme loje, por Lushnja dihet se është më Superiore. Miqësoret na ndihmojnë për t’u përmirësuar sa më shumë”.
Lushnja
Xhafa: Më pëlqeu më shumë angazhimi se rezultati
Trajneri i Lushnjës, Erion Xhafa, pas suksesit në miqësore, për “Panorama Sport” deklaroi:” Kjo miqësore na ka vlejtur, pasi edhe lojtarët e stolit janë pjesë e rëndësishme e organikës. Më shumë sesa rezultati, mua më kënaqi angazhimi maksimal që skuadra pati ndaj kundërshtarit. Dominimi në lojë dhe rezultat gjatë pjesë parë është një tregues i qartë i angazhimit tonë. Këtë javë kemi vendosur ta mbyllim me vetëm një miqësore dhe të fokusohemi te ndeshja e radhës në kampionat. Kam shumë besim te skuadra, pasi gradualisht po përcjell të gjitha pikëpamjet dhe filozofinë time te futbollistët. Besoj shumë, se javë pas jave Lushnja do të përmirësohet dukshëm, për t’u ngjitur më lart”.
EDI SPAHIU- PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"