Sulmuesi afrikan po “merr përdore” Besën drejt mbijetesës në Kategorinë e Parë
Vetëm 4 javë më parë, sulmuesi Mustafa Ba deklaronte: ”Kam nisur të shënojë dhe nuk do të ndalem më, duke i garantuar Besës golat e mi”. Kështu edhe ka ndodhur, pasi sulmuesi “mister 100 milionësh” ka shënuar në të tri fitoret e Besës në javët e fundit duke nisur nga ajo me Luzin, për të vijuar në Berat dhe së fundi golin trepikësh në Burrel.
Vetë sulmuesi Ba ndodhet i lumtur për këtë fakt, mbase i favorizuar edhe nga skema sulmuese që ka ndërtuar trajneri Dorjan Bubeqi. “Sigurisht që jam krenar pasi po mbaj fjalën e dhënë duke shënuar në çdo takim. Asnjë gol nuk vjen si produkt individual, por i lojës së gjithë ekipit. Që nga ndeshja me Luzin, skuadra ka ndryshuar fytyrë, kjo edhe për meritë të stafit teknik. Trajneri vlerëson nivelin teknik të lojtarëve dhe ka ndërtuar një taktikë, që falë saktësisë e shpejtësisë së pasimeve të dalim pastër e qartë para portave kundërshtare.
Kështu bëmë ndaj Luzit, në Berat dhe së fundmi në Burrel. Besa nuk ka ekip për t’u mbrojtur, por për të kundërsulmuar në çdo moment. Stafi me në krye trajnerin ka ditur të flasë me ne hapur, qartë, duke i imponuar secilit të japë më të mirën e tij”, u shpreh fillimisht sulmuesi për “Panorama Sport”. Sa i përket fitores në Burrel, Mustafa Ba shprehet se nuk ishte aspak e lehtë. “Mendoj se Burreli e kishte llogaritur fitoren pa nisur takimi, mbase edhe nga përballjet e fundit mes dy ekipeve. Ndërsa ne, duke ditur forcën dhe mënyrën tonë të lojës, besuam deri në fund te fitorja dhe ia dolëm.
Në fundin e pjesës së parë duhet patjetër të kishim shënuar. Fitorja në Burrel na mban në korsinë e mbijetesës dhe i ke të gjitha mundësitë, që të largohemi nga katër vendet e fundit. Ajo që kërkon Besa dhe shpresoj të ndodhë, është loja e ndershme nga të gjithë kundërshtarët. Besën askush se ka toleruar, përkundrazi kemi sakrifikuar shumë për të fituar. Do të vijojmë të luajmë fort e ndershëm deri në fund. Do jetë jo e lehtë, por e përsëris, tani duhet që fitoret të vijojnë e të shtohen nga java në javë. E radhës duhet të vijë ndaj Kastriotit. Kemi rigjetur golat, lojën, besimin, ndaj le të vijojmë kështu”, përfundoi Mustafa Ba.
FERIZ FERIZAJ-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"