Sulmuesi i Elbasanit, Gjoni: E mposhtim Partizanin, tani prisni gola të tjerë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 20, 2024 | 10:40

Sulmuesi i Elbasanit, Gjoni: E mposhtim Partizanin, tani prisni gola të tjerë

Elbasani ka shansin që në ndeshjen e fundit të fazës së parë të mundë një nga pretendentët e këtij sezoni, pasi deri më tani nuk ia ka dalë dot. Përballë do të ketë ekipin e Partizanit, që kryeson klasifikimin dhe një tri pikësh ndaj tyre do të sillte parakalimin, por edhe mbylljen e kësaj faze me një moral më të lartë.

gjoni

Verdheblutë vijnë pas “pokerit” në Kupë ndaj Turbinës dhe avancimin më tej, ku ajo që kishte më shumë rëndësi ishte edhe zhbllokimi i disa lojtarëve. Ai që spikati ishte sulmuesi Amarildo Gjoni me një dopietë, që ishin edhe golat e parë të tij në një ndeshje zyrtare me Elbasanin.

GJONI – Në prononcimin e dhënë për “Panorama Sport”, 25-vjeçari flet pikërisht për këtë zhbllokim të tij në aspektin personal sa i përket golave, moment që e sheh si një pikënisje për të, ku shpreson që të njëjtën ecuri ta ketë tani edhe në kampionat.

“Ishte shumë i rëndësishëm për mua, sepse është goli i parë me fanellën e Elbasanit dhe shpresoj të jetë një pikënisje për mua. Gjithmonë futem në fushë për të dhënë maksimumin dhe me dëshirën për të shënuar dhe fituar. Tani shpresoj të gjej rrugën e rrjetës sa më shpejt edhe në kampionat”, u shpreh fillimisht sulmuesi i Elbasanit që në kampionat me verdheblutë është aktivizuar në gjashtë takime dhe ka luajtur 275 minuta, ndërsa në katër raste ka marrë besimin e teknikut Roberto Bordin për të luajtur si titullar nga minuta e parë.

PARTIZANI – Pavarësisht se në mes ishte kupa, përgjatë gjithë këtyre ditëve në Elbasan janë stërvitur në kuadër të ndeshjes me Partizanin, aty ku do të kërkojnë patjetër ta mbyllin me një fitore. Gjoni kërkon vazhdimësinë në rezultate dhe qëndrimin sa më lart në klasifikim, ndaj beson se do t’ia dalin me sukses këtë të diel në “Elbasan Arena”. “Është shumë e rëndësishme, sepse ne duam vazhdimësinë me rezultate pozitive dhe të qëndrojmë sa më lart në tabelë. Është një ndeshje për t’u vlerësuar, por kam besim tek ekipi se do ia dalim me sukses”, vijoi më tej sulmuesi i Elbasanit.

I ngacmuar rreth faktit se Elbasani po kalon një ngërç sa i përket fitoreve me ekipet pretendente, sulmuesi pohon se lojërat i kanë pasur të mira, ndaj edhe fitoret do të vijnë. “Me pretendentët gjithmonë kemi zhvilluar lojëra pozitive, por futbolli prandaj është i bukur, sepse i ka të tria rezultatet brenda”, mbylli prononcimin e tij për gazetën Amarildo Gjoni.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"