Sulmuesi i liqenorëve optimist: Pogradeci bën detyrat e shtëpisë me Korabin
Merkatoja dimërore e Pogradecit është shoqëruar me zhvillime të shumta, ku nuk kanë munguar edhe largimet e befasishme nga ata që u prezantuan në fillim të muajt si përforcime. Dje pogradecarët kanë prezantuar afrimin e fundit, pikërisht mesfushorin Rigels Hasaj, i cili vjen nga radhët e Devollit.
Pas fitores së arritur në transfertën e Tropojës ndaj Valbonës, liqenorët e presin me optimizëm ndeshjen kundër Korabit, lë luajnë sot në orën 13:30 në stadiumin “Gjorgji Kyçyku”. Një fitore ndaj dibranëve, duke përfituar dhe nga ndonjë hap i gabuar i rivalëve, rrugëtimi i tyre drejt gjashtëshes së parë bëhet edhe më i sigurt.
Gjatë kësaj jave, në kampin pogradecar ka pasur zhvillime, sa i përket hyrje-daljeve në merkato, ku mbetet të mësohet edhe fati përfundimtar i kroatit Mateo Panadiç.
Në prag të duelit me Korabin, sulmuesi Festim Alidema, për “Panorama Sport”, u shpreh: “Fitoren ndaj Valbonës e konsideroj fitore morali. Një fitore në transfertë vlen shumë për të përballuar me sukses ndeshjen e radhës”. Pavarësisht se sot do të përballen ndaj Korabit, sulmuesi e konsideron të vështirë sfidën.
“Parashikoj një ndeshje të fortë, pavarësisht se përballemi ndaj një skuadre që lufton t’i largohet vendeve të fundit të renditjes. Afrimi i shumë futbollistëve cilësorë i ka forcuar dukshëm kundërshtarët, por marrja e tri pikëve është detyrë shtëpie për skuadrën tonë. Jam optimist se Pogradeci do të marrë tri pikët e radhës”, mbyll komentin autori i golit të dytë në ndeshjen e kaluar ndaj Valbonës.
NDERIM GOCI-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"