Sulmuesi i Tomorit: Na dëmtoi anulimi i golit ndaj Vorës, autokritikë me Lushnjën
Tomori mori një “shuplakë” në Vorë. Edhe pse rezultati ishte i thellë, stafi dhe lojtarët këmbëngulin që nuk pasqyron forcën reale të skuadrës. Ata e kanë me gjykimin, që u anuloi një gol kur ndeshja ishte 2-0.
Këtë mendim ka edhe sulmuesi Vahab Laval, i cili e thotë troç për “Panorama Sport”, që i dëmtoi ai episod. Afrikani beson se skuadra do të reagojë direkt, duke filluar nga Lushnja. E presin në shtëpi dhe llogaritë i bëjnë me kthesën. “Nuk kemi shumë kohë për t’u përgatitur, por as edhe të merremi me humbjen e pësuar me Vorën. E megjithatë, dy fjalë do t’i them. E pësuam prej episodeve. Na dëmtoi jo pak edhe ai goli i anuluar, kur shifrat ishin 2-0.
Dhe për ta fshirë nga kujtesa këtë humbje, që nuk tregon aspak forcën reale të Tomorit, do të na duhet që të reagojmë të gjithë së bashku me Lushnjën. Me reagim, nënkuptoj fitoren. Është një kundërshtar që e njohim mirë, por që për ta mundur do të na duhet të tregojmë shpirt të lartë në fushën e lojës. Duhet të shfrytëzojmë maksimalisht edhe faktorin fushë. Ne jemi të bashkuar si skuadër dhe me ndihmën e tifozërisë sonë, do të futemi në fushë vetëm për maksimumin.
Mundësitë i kemi, pasi duam një reagim të fortë që do të ishte në këtë rast vetëm fitorja”, ka përfunduar sulmuesi i beratasve. Skuadra do t’u japë sot dorën e fundit përgatitjeve për javën e pestë të kampionatit, e cila është në program për të dielën. Do të jetë patjetër e vështirë, por në Berat janë “zotuar” për autokritikën.
EDI SPAHIU-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"