Sulmuesi Kaçanolli: Ndihem i motivuar te Lushnja, si ekip kemi mundësi për më lart
Faza e dytë ka nisur e mbarë për Lushnjën. Skuadra e drejtuar nga Erion Xhafa ka marrë nëntë pikë, nga 12 të mundshmet dhe të gjitha në “Roza Haxhiu”. Në dy fitoret e fundit ndaj Kastriotit dhe Apolonisë, protagonistët kryesorë ishin të njëjtët golashënues, Kamisoko dhe Kaçanolli.
Sulmuesi 20-vjeçar Redi Kaçanolli shkoi në kuotën e tri golave, teksa golin e parë me fanellën verdhejeshile e kishte shënuar në transfertën me Flamurtarin. Në një prononcim për gazetën, sulmuesi i Lushnjës shprehet: “Ndihem shumë mirë. Jam i kënaqur për momentin. Po stërvitem dita-ditës për të arritur më lart. Grupi është kompakt. Të gjithë lojtarët ndihen të motivuar. Patjetër që synojmë për më tepër. Kam filluar të gjej veten te ky ekip. Shpresoj t’ua shpërblej besimin.
Të jetë ky viti më i miri që kam pasur deri më tani. Po mundohem me stërvitje dhe me vendosmëri të tregoj veten. Mendoj, se për momentin jemi mirë, por kemi mundësi të shkojmë edhe më lart. Tani jemi përqendruar vetëm te ndeshja e radhës. Është një ndeshje e vështirë. Do ta luajmë përballë një ekipi pretendent si Besa, me lojtarë cilësorë. Por, do të japim maksimumin për të marrë një rezultat pozitiv”, deklaroi golashënuesi i Lushnjës, Redi Kaçanolli.
ALBAN ALUSHI- PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"