Sulmuesi kroat i jep zemër ekipit, Panadiç: Fitorja me Lushnjën, detyrë shtëpie për Pogradecin
Me golin e shënuar nga kroati Mateo Panandiç ndaj Kukësit në minutën e nëntë të pjesës së parë, u krijua iluzioni i fitores dhe kualifikimit për liqenorët. Me dygolëshin e vendasve, të shënuar në pjesën e dytë, u shua çdo iluzion për një kalim të mundshëm të Pogradecit në turin e tretë të Kupës së Shqipërisë.Në analizën që i bën ndeshjes, sulmuesi Panadiç pohon se skuadra në përgjithësi zhvilloi një takim të kënaqshme, sidomos në pjesën e parë. Fraksioni i dytë i ndeshjes ishte e kundërta e pjesë së parë. Pas pësimit të golit të parë, skuadra sikur ra moralisht, çka ndikoi në pësimin e golit te dytë. “Në pjesën e parë kemi zhvilluar një ndeshje të mirë, në të cilën treguam organizim të mirë dhe intensitet të lartë. Kjo na lejoi të pozicionoheshim në mënyrë agresive, duke na krijuar mundësi për të shënuar. Edhe pas shënimit të golit, skuadra krijoi raste të tjera, por na mungoi finalizimi.
Me pësimin e golit të barazimit, morali i skuadrës sikur ra dhe këtë e shfrytëzoi mjaft mirë skuadra vendase, që shënoi dhe golin e dytë. Edhe pse u përpoqëm të barazonim rezultatin, nuk kishim kohën e mjaftueshme për të arritur një gjë të tillë”, u shprehet fillimisht për gazetën, sulmuesi kroat i liqenorëve. Me seancën e së djeshme, skuadra ka nisur përgatitjet për ndeshjen e radhës në kampionat. Për llogaritë e javës së trembëdhjetë, Pogradeci do të presë Lushnjën në “Gjorgji Kyçyku”, një ndeshje që po pritet me shumë interes në radhët e tifozerisë vendase. Të dy skuadrat janë të pozicionuara afër njëra-tjetrën në renditje, duke e shtuar dukshëm rivalitetin mes tyre. “Do të jetë një ndeshje intersante, pasi të dy skuadrat do të kërkojnë të marrin pikët maksimale.
Më të avantazhuar do të jemi ne, se luajmë para publikut tonë. Duhet të punojmë fort për të riparuar ato gabime që u panë në ndeshjen e Kupës ndaj Kukësit. Marrja e tri pikëve në këtë ndeshje është jo vetëm detyrë shtëpie, por do të na shërbejë moralisht për javët në vazhdim”, mbyll prononcimin e tij sulmuesi kroat, Mateo Panadiç. Pas 12 javësh, skuadra liqenore, është pozicionuar e teta në renditje me 15 pikë, po aq sa ka edhe Lushnja me Apoloninë.
NDERIM GOCI- PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"