Sulmuesi kroat, Panadiç: Goli për tifozët, Pogradeci beson kundër Vorës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 25, 2024 | 14:40

Sulmuesi kroat, Panadiç: Goli për tifozët, Pogradeci beson kundër Vorës

Pas një “agjërimi” prej tri javësh, skuadra pogradecare i rikthehet fitoreve në kampionat. Marrja e tri pikëve kundër Erzenit të Shijakut, ka qetësuar provizorisht “ujërat” e liqenorëve. Goli i shënuar nga kroati Panadiç i dha skuadrës një trepikësh me shumë vlerë, duke iu larguar vendeve të fundit.

panadic pogradec

Ndryshe nga ndeshja e fundit në transfertë kundër Burrelit, kur u ndëshkuan në limitet e ndeshjes, goli i fitores ndaj Erzenit erdhi pikërisht në “frymën” e fundit, duke lehtësuar vuajtjet. “Golin e fitores ndaj Erzenit ua dedikoj sportdashësve pogradecarë, që në këtë ndeshje ishin të shumtë. Mbështetja e tyre është shumë e rëndësishme për ne. Madje, prania e tyre na dha zemër dhe kështu ndodhi realisht dhe në ndeshjen e fundit kundër Erzenit”, u shpreh fillimisht për “Panorama Sport”, 29-vjeçari Mateo Panadiç.

Autori i golit të fitores së pogradecarëve pohon se skuadra tregoi forcë dhe grinte, duke besuar te marrja e tri pikëve. “Synimi i skuadrës sonë ishte të fitonim. Marrja e tri pikëve e ka ngritur shumë moralin e skuadrës. Që në fillim treguam hapur se fitorja ishte i vetmi rezultat që bënte punë. Pas shumë përpjekjeve arritëm të shënonim dhe Zoti na shpërbleu mundin dhe djersën tonë në fund”, shprehet mes të tjerash sulmuesi, Mateo Panandiç. Këtë javë, pogradecarët do të udhëtojnë drejt Vorës, ku do të kenë një ndeshje jo të lehtë me vendësit. “Fitorja e arritur na motivon për të dhënë më të mirën. Skuadra ka potenciale për ta përballuar me sukses duelin me Vorën. Me punë dhe besim te vetja, vjen dhe rezultati pozitiv”, e mbylli kroati që renditet në pesë golashënuesit më të mirë të kampionatit të Kategorisë së Parë pas pesë javëve të para, ku ka shënuar 3 gola.

NDERIM GOCI- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"