Superkupa, ngushëllimi i Egnatias për mbylljen e vitit
Egnatia nuk e mbylli si duhet këtë vit në kampionat, pas humbjes në ndeshjen e fundit me Dinamon. Ky rezultat i zbriti rrogozhinasit në vendin e katërt, me katër pikë larg bluve kryesues, duke bërë që të humbasin disi terren me këta të fundit.
Të besuarit e Edlir Tetovës shpresonin të vijonin me paraqitjet pozitive të ndeshjeve të fundit me dinamovitët, kur ia kishin dalë gjithnjë që të merrnin rezultatin që u duhej. Nga ana tjetër, kampionët në fuqi të Superiores e mbyllin vitin edhe duke kthyer kokën pas sepse Elbasani i vendit të pestë u është afruar me pesë pikë, gjë mund të sjellë disi edhe shqetësim.
SUPERKUPA SI NGUSHËLLIM – Nëse ekipet e futbollit shqiptar kanë marrë të gjitha pushimet për shkak të ndalesës së kampionatit, kjo gjë nuk vlen për Egnatian dhe Kukësin, të cilat do të diskutojnë Superkupën më 26 dhjetor. Rrogozhinasit në epokën “Demrozi” po njohin periudhën e tyre më “të artë”, pasi fituan më herët Kupën dhe më pas kampionatin, duke u ngjitur në majat më të larta të futbollit shqiptar këto dy vitet e fundit. Megjithatë, për të plotësuar të gjithë trofetë e mundshëm në futbollin shqiptar, rrogozhinasit kanë nevojë edhe për Superkupën.
Bëhet fjalë për trofeun që ata nuk e fituan dot vitin e kaluar, por kanë sërish mundësi tani. Përballë do të kenë Kukësin e Kategorisë së Parë dhe më pak cilësi, ndaj fitimi i këtij trofeu duket gati një formalitet. Në maj të këtij viti këto dy skuadra u përballën edhe në finalen e Kupës së Shqipërisë dhe i takoi Egnatias, e cila bëri “bis” me trofetë pas fitimit të kampionatit. Tani kanë mundësinë që të bëjnë një “tris” trofesh, duke mbyllur në maksimumin e mundshëm ciklin e një viti të një skuadre fituese.
Nga ana tjetër, në njëfarë mënyre, pas një pjese të parë të kampionatit me shumë uljengritje dhe jo më në vendin e parë, Superkupa shihet si një ngushëllim për të besuarit e Edlir Tetovës, që duan t’ia shtojnë edhe këtë trofe karrierës së tyre. Skuadra ka pak ditë në dispozicion për t’u përgatitur rreth kësaj ndeshjeje, e cila luhet pas dy ditësh në kryeqytet dhe më pas të marrë pushimet e shkurtra të fundvitit.
VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"