SUPERLIGA/ Besëlidhja s’njeh rivalë, dominon edhe ndaj Teutës. Apolonia befason Tiranën
Superliga e basketbollit për meshkuj ka mbyllur dje javën e katërt me kryendeshjen e mbrëmjes mes Besëlidhjes dhe Teutës në pallatin e sportit “Asllan Rusi”.Një sfidë që vendoste përballë përkatësisht kampionët në fuqi dhe nën-kampionët. Lezhjanët konfirmuan superfuqinë e tyre në kampionat, duke vijuar ecurinë me pikë të plota, teksa shënuan suksesin e radhës. Ekipi i Afrim Bilalit fitoi me rezultatin e thellë 108-67 në një përballje të dominuar nga fillimi e deri në fund. Skuadra veriore tregoi efikasitet të lartë në sulm, ndërsa spikati gjithashtu edhe në një pikë të fortë të lojës së saj siç është faza mbrojtëse, në një takim ku e pa veten deri në 51 pikë avantazh. Kështu Besëlidhja e nisi furishëm, teksa i vendosi menjëherë distancat, duke marrë periodën e parë 31-13, për të fituar edhe në çerekun e dytë 28-17, duke shkuar në pushim me avantazhin e përgjithshëm 59-30.
Gjysma e dytë e ndeshjes nuk ndryshoi asgjë, vetëm sa e thelloi edhe më tepër avantazhin e lezhjanëve, të cilët i marrin edhe dy periodat e mbetura, përkatësisht 25-17 dhe 24-20. Për t’u theksuar është fakti se gjysma e pikëve të Besëlidhjes (54), mbajnë firmën e lojtarëve të stolit, statistikë që tregon forcën e kësaj skuadre jo vetëm në pesëshen titullare. Shënuesi më i mirë për lezhjanët ishte Joshua Angle, autor i 18 pikëve. Për Teutën nuk mjaftuan dopietat dyshifrore të amerikanëve Powell me 22 pikë e 11 kërcime dhe Andrews me 14 pikë e 11 kërcime. Vetëm 2 pikë gjithsej nga pankina për bregdetarët në këtë takim. Kështu Besëlidhja tashmë merr e vetme kreun, ndërsa e dërgon në 31 numrin e fitoreve radhazi që prej sezonit të kaluar. Për Teutën kjo ishte humbja e dytë radhazi, pas asaj të pësuar një javë më parë në shtëpi ndaj Tiranës.Ndërkohë të shtunën Superliga zhvilloi dy takime, ku spikati fitorja e Apolonisë kundër Tiranës në kryeqytet. Fierakët bënë befasinë, teksa triumfuan në shifrat 65-79 (13- 14, 14-19, 14-29, 24-17), për të arritur suksesin e parë në kampionat. Apolonia e bëri diferencën në periodën e dytë dhe të tretë, duke shkuar deri në 23 pikë avantazh. Lojtari i ndeshjes ishte Hamilton me 21 pikë, 7 kërcime dhe 3 asistime për miqtë, mbështetur nga Kaboza me 20 pikë, 10 kërcime dhe 5 asistime. Për Tiranën spikatën vëllezërit Lilaj, Frenki me 26 pikë dhe Richardi me 17.
Vllaznia u zhbllokua më në fund, duke arritur suksesin e parë në kampionat. Kuqeblutë fituan në Shkodër kundër Kamzës me rezultatin 87-81 (22-22, 23-19, 19-19, 17-17) në një ndeshje të luftuar fort nga fillimi e deri në fund. Për shkodranët shkëlqyen Shestani me 13 pikë e 14 asistime, Walton me 23 pikë e 17 kërcime si dhe Wilkins me 14 pikë e 9 kërcime. Për Kamzën nuk mjaftoi Nnanabu, autor i 30 pikëve.
ARTIN LLESHAJ-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"