Superliga e volejbollit për meshkuj/ Partizani si rul, “asfalton” edhe Skënderbeun në transfertë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 19, 2024 | 13:33

Superliga e volejbollit për meshkuj/ Partizani si rul, “asfalton” edhe Skënderbeun në transfertë

Partizani vijon marshimin në Superligën e volejbollit për meshkujt, duke “asfaltuar” me rezultat të pastër çdo kundërshtar që i del përpara.

Moment nga ndeshja Skënderbeu-Partizani 0-3 FOTO F.HAZISLLARI

Moment nga ndeshja Skënderbeu-Partizani 0-3
FOTO F.HAZISLLARI

Kampionët regjistruan fitoren e gjashtë në po kaq javë të kampionatit, teksa dje mposhtën Skënderbeun në transfertë në shifrat 0-3. Skuadrës së Ylli Tomorrit i mjaftuan 1 orë e 25 minuta për të futur në kasafortë 3 pikët në pallatin e sportit “Tamara Nikolla”. Megjithatë ndeshja nuk kaloi pa rivalitet, pasi të zotët e shtëpisë provuan të rezistonin sidomos në setin e parë, fraksion që u vendos vetëm pas pikëve shtesë 25-27 për kryeqytetasit. Në dy setet e tjera miqtë e kishin më të thjeshtë dhe fituan bindshëm me rezultatin e njëjtë 19-25. Në këtë takim Partizani rigjeti edhe një prej lojtarëve më të mirë të sezonit të kaluar, brazilianin Coutinho, i rikthyer me të kuqtë pikërisht para ndeshjes me Skënderbeun, duke zgjedhur qytetin e serenatave për të bërë debutimin sezonal me dashurinë e vjetër… Partizanin. Coutinho realizoi 12 pikë në këtë ndeshje, ndërsa ishte Raul Saubliqi shënuesi më i mirë i miqve, me 13 pikë. Për Skënderbeun u dalluan amerikani Caylor Cox me 15 pikë dhe Emanuel Driza me 14.

SK

TEUTA PËRMBYS VLLAZNINË

Dje u zhvillua gjithashtu edhe përballja ndërmjet Vllaznisë dhe Teutës në Shkodër, takim i ftuar nga durrsakët me rezultatin 1-3. Miqtë triumfuan me përmbysje, pasi ishin shkodranët ata që e filluan më mirë duke marrë setin e parë 25-23. Seti i dytë dhe i tretë ishin shumë të luftuar, me bregdetarët që fituan me pikë shtesë, përkatësisht 24-26 dhe 25-27. Teuta i mbylli llogaritë, duke marrë edhe setin e katërt 22-25 për të arritur suksesin e dytë sezonal në një takim që zgjat 2 orë e 4 minuta. Me këtë fitore Teuta realizoi edhe parakalimin në dëm të Vllaznisë, duke u ngjitur në vend të pestë, me shkodranët që zbresin në vendin e parafundit. Renaldo Bushpepa me 21 pikë, ishte shënuesi më i mirë në radhët e Teutës, ndërsa për kuqeblutë nuk mjaftoi paraqitje e shkëlqyer e kapitenit Nikolin Qafarena, autor i 23 pikëve.

VLL

Java e gjashtë e kampionatit do të mbyllet me ndeshjen e sotme ndërmjet Elbasanit dhe Tiranës në orën 17:00 në pallatin e sportit “Tomorr Sinani”.JAVPANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"