Surpriza e Kategorisë së Parë, Bicaj bën analizën: Peng disa ndeshje në fushën tonë, do bëjmë përforcime

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 30, 2024 | 16:54

Surpriza e Kategorisë së Parë, Bicaj bën analizën: Peng disa ndeshje në fushën tonë, do bëjmë përforcime

Pas ndeshjes miqësore të zhvilluar të dielën me Laçin, që u mbyll 2-1 për vendasit, skuadra e Burrelit ka vijuar stërvitjen edhe të hënën, me të cilën i ka dhënë fund aktivitetit futbollistik për vitin 2024.

bicaj

Për “Panorama Sport”, trajneri Ditmar Bicaj, vlerëson klimën e ngrohtë që ka gjetur, dhe kushtet që presidenca ka krijuar për ekipin dhe stafin, duke adresuar vlerësime pozitive për kryetarin e bashkisë, që është njëherësh President i ekipit, ku thotë se: “Më duhet të falënderoj veçanërisht kryetarin e bashkisë Mat, Agron Malaj për mbështetjen e jashtëzakonshme, që na ka dhënë në çdo takim brenda dhe jashtë fushe, duke na qëndruar pranë dhe zgjidhur çdo shqetësim, që kemi patur.

E falënderoj nga zemra, se është njeriu që pavarësisht problemeve që ka qyteti, gjen kohën që të merret, interesohet e të zgjidhë çdo problem që ka ekipi i futbollit. Përveç punës tonë si staf dhe impenjimit maksimal të futbollistëve, një suport i tillë ka patur ndikimin të padiskutueshëm në rezultatet që kemi arritur”.

Teksa veçon klimën e krijuar dhe vlerëson raportet me stafin drejtues ndër të tjera Bicaj thotë: “Këtu në Burrel kam gjetur një klimë shumë mikpritëse nga të gjithë faktorët. Më është lënë kompetenca të punoj shumë  i qetë dhe me një frymë mirëkuptuese. Me këtë frymë ndërtuam ekipin dhe kemi vijuar të punojmë së bashku në këto 6-muaj. Falë frymës së mirëkuptimit dhe bashkëpunimit si staf, mund të them se ekipi po ecën në atë shtrat dhe ujëra që ne e kishim menduar, por që mendojmë të bëjmë ndonjë përmirësim të mundshëm  në merkaton e dimrit me dy-tre përforcime, me nga një të tillë në çdo repart”.

Sa i përket ndikimit të gjykimit në ecurinë e Burrelit, Bicaj shprehet se; “Personalisht nuk kam ndonjë ankesë, pavarësisht se ka patur takime, që me apo pa dashje, ndonjëherë edhe mund të jemi penalizuar, por e ritheksoj se gjykimet në përgjithësi kanë qenë korrekte”.

Ndërsa referuar rezultateve pozitive të Burrelit në transferta, Bicaj thotë: “Specifika e këtij kampionati është fakti se pothuajse të gjitha ekipet janë të barabarta, dhe nuk është se mund ta kesh të sigurt një ndeshje për ta fituar brenda, apo jashtë. Pavarësisht se kemi patur disa rezultate pozitive në ndeshjet në transfertë, çdo ndeshje si brenda apo jashtë ka specifikë të veçantë. Por për hir të së vërtetës duhet pranuar se, për ndeshjet brenda i kemi disa pengje, sepse duhet të kishim marrë maksimalen e tyre, por i kemi kompensuar në transferta. Ky kampionat, do të jetë i paparashikueshëm dhe ekipi i Burrelit, do ti përgjigjet ritmit dhe specifikës së çdo ndeshje brenda dhe jashtë fushës së vet”.

MARTIN DEDAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"