Surpriza e merkatos së korçarëve, Balaj: Skënderbeu është ekipi i duhur, nuk është hap pas për mua

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 19, 2024 | 9:47

Surpriza e merkatos së korçarëve, Balaj: Skënderbeu është ekipi i duhur, nuk është hap pas për mua

Liridon Balaj, afrimi më i ri i Skënderbeut, është gati për të dhënë kontributin e tij në radhët e ekipit korçar. Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, kosovari tregon arsyet pse zgjodhi Skënderbeun si skuadrën për të vazhduar karrierën e tij.

asdsadsdadasd

25- vjeçari nuk e sheh kalimin në Kategorinë Superiore si një hap pas, por si një mundësi e mirë që kërkon ta shfrytëzojë në maksimum. Në daljen e tij të parë për mediat si futbollist i Skënderbeut, ai ka premtuar se do japë maksimumin për këtë skuadër. Para se të vinte te Skënderbeu Liridon Balaj ka luajtur në kampionatin belg me ekipin e Deinze, por edhe në Zvicër me ekipet e Arau dhe Shafhauzen, teksa është aktivizuar edhe në Kosovë me ekipin e Besës së Pejës.

Balaj, nga Zvicra në Korçë, çfarë ju bindi të vishnit fanellën e Skënderbeut?
Më ka pëlqyer shumë projekti që më kanë ofruar drejtuesit e klubit, projekti i këtij klubi dhe historia që ka Skënderbeu. Kam zgjedhur Skënderbeun pasi e di që do të jetë ambienti më i mirë për mua për të dhënë maksimumin tim. Klubi është i ndërtuar mbi një strategji që mua më shkon përshtat dhe do të bëj më të mirën që të shpërblej besimin.

Çfarë ambienti keni gjetur në Korçë?
Kam gjetur një ambient shumë të mirë. Edhe në qytet jam pritur mirë që në ditën e parë kur kam ardhur këtu. Duket që janë njerëz shumë të mirë dhe të kulturuar mbi të gjitha. Ekipi është fantastik, ka një frymë shumë të mirë brenda grupit dhe mbi të gjitha atmosferë pozitive. Kam mbetur i kënaqur që në ditën e parë.

Bisedimet me Skënderbeun kanë nisur që në gusht, pse vonoi kaq shumë ardhja juaj?
Të them të drejtën po, ka pasur bisedime që në muajin e kaluar dhe kam qenë gjithmonë në kontakt me klubin e Skënderbeut. Mund të them se kam kërkuar kohë duke parë që kisha edhe disa oferta të tjera në adresën time dhe doja të bëja zgjedhjen më të mirë. Mund të them se një rol të rëndësishëm ka luajtur edhe drejtori sportiv, Ardi Gjançi, i cili më ka bindur që të vishem bardhekuq. Nuk doja të nxitohesha dhe kam menduar gjithçka që nga ambienti, mënyra e jetesës, përshtatja e të gjitha me radhë. Por në fund vendosa se Skënderbeu do të ishte ambienti i duhur për mua.

Fakti që vjen pas nisjes së kampionatit sa do ju penalizojë të integroheni shpejt me grupin?
Nuk mendoj se do të jetë e vështirë. Prej ditës së parë kam nisur me seancat stërvitore dhe shumë shpejt do të jem në dispozicion të trajnerit. Mund të them se ndjehem mirë fizikisht dhe kam nevojë vetëm për pak kohë përshtatje me mënyrën e lojës dhe mentalitetin e skuadrës. Kështu që besoj se duke nisur nga java tjetër mund të jem gati për të luajtur.

Çfarë premton Balaj te Skënderbeu?
Premtoj se do të jap gjithmonë maksimumin për këtë fanellë. Me ndihmën e Zotit të shënoj sa më shumë gola dhe të ndihmoj ekipin sa më shumë që të arrijë nivelin e kërkuar.

Nga Belgjika e Zvicra në Shqipëri. A është një hap pas për ju?
Nuk e quaj një hap pas, por e them me bindje se është një hap shumë i mirë për mua dhe kështu shpresoj që të rezultojë vërtet. Vij në Superiore, që është një kampionat shumë i fortë. Skënderbeu është një ekip me një farë vlere dhe një emër të konfirmuar tashmë për transferimet e lojtarëve. Është një ekip që ka luajtur dy herë në grupet e Europa Ligës dhe ky është një tregues i rëndësishëm.

Si i shihni kolegët e sulmit në këto ditë të para stërvitjeje?
Të them të drejtën, informacionet i kam marrë që më herët. Do të luaj me Nikajn dhe Rashicën, që janë dy lojtarë shumë të talentuar, pjesë e kombëtares U-21. Është një ekip me emra cilësorë dhe jam i lumtur që jam këtu. Do të luftojmë për të njëjtin qëllim që të shkojmë sa më lart me Skënderbeun.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"