“S’vazhdohet kështu”, Lautaro i tërbuar: Jam i mërzitur, duhet t’i…
Duhet të festonte për fitoren edhe pse të vuajtur ndaj Venecias, por Lautaro Martinez ka shpërthyer. Kapiteni i Interit ka shpërthyer në akuza të forta ndaj arbitres së ndeshjes Maria Ferreri Kaputi për 7 minutat shtesë të akorduara në fundin e sfidës, po ashtu edhe për mënyrën se si luajti ekipi i tij dhe nuk arriti dot që ta mbyllte ndeshjen dhe të ishte i qetë drejt këtij triumfi.
Ai u zgjodh lojtari më i mirë i ndeshjes dhe gjithashtu theu një tabu që zgjaste prej shumë kohësh në “San Siro”.
Nuk kishte arritur që të shënonte prej shumë muajsh, por ia doli të bëhej protagonist ndaj Venecias. Por Interi vuajti jo pak kur në minutën e 97-të u desh ndërhyrja e VAR-it për të anuluar një gol të skuadrës së Di Françeskos. Edhe ky i fundit shpërtheu në kritika ndaj arbitres se favorizoi Interin në këtë ndeshje.
Sa shumë vuajtje në fundin e ndeshjes. Çfarë ndodhi?
Në pjesën e parë nuk u dha asnjë minutë shtesë, ndërsa në të dytën u dhanë 7 minuta. Duhet që të përmirësohemi të gjithë për të shkuar përpara. Duhet që të ndryshojmë mentalitetin sepse futbolli ndryshon dhe ne mund të mbetemi në vend.
Nëse duam një futboll më të mirë, të gjithë duhet që të japim më të mirën. Për këtë acarohem. Por më mirë kështu. Le të marrim këto 3 pikë dhe t’i shijojmë. Duhet të vazhdojmë të punojmë akoma më shumë për t’u përmirësuar sepse po bëjmë shumë gabime.
Mos ndoshta duhet të rriteni të gjithë si skuadër për t’i mbyllur ndeshjet më shpejt?
Sigurisht. Ky është mendimi im i parë. Më vjen keq, por jam shumë i tërbuar dhe i acaruar. Duhet që t’i mbyllim ndeshjet më shpejt. Na ndodhi e njëjta gjë edhe me Juventusin. Kampionati është i gjatë dhe duhet që të rritemi akoma më shumë në këto detaje.
Ju mungonte pak goli në “San Siro”?
Po. Kishte ardhur momenti që të shënoja. Por unë them gjithmonë që punoj për skuadrën. Kam gabuar dy gola në pjesën e parë, por erdhi i treti për të sjellë fitoren për Interin.
Përgatiti: GENTJAN ALINANI – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"