Takoi ultrasit e Interit në fshehtësi, Çalhanoglu rrezikon pezullim

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 20, 2024 | 15:13

Takoi ultrasit e Interit në fshehtësi, Çalhanoglu rrezikon pezullim

Pavarësisht se Interi e kishte këshilluar që të mos e bënte, Hakan Çalhanoglu pranoi përpara prokurorit të çështjes “2 tifozëritë” që ka pasur kontakte dhe ka takuar fizikisht një prej kapo-ultrasve të skuadrës zikaltër.

CALHANOGLU

Për këtë arsye, mesfushori i skuadrës së Interit rrezikon një ose më shumë ndeshje pezullim dhe një gjobë prej 20 mijë eurosh. Futbollisti zikaltër ka thyer një prej rregullave të artikullit 25 të Kodit Sportiv, ku thuhet se është e ndaluar që të kesh raporte me eksponentë të grupeve apo grupe të mbështetësve që nuk bëjnë pjesë në shoqatat e konfirmuara nga klubi.

RAPORTI- Mesfushori turk ishte personazhi i tretë nga kampi zikaltër që raportoi përpara prokurorit pikërisht për çështjen e tifozëve pas trajnerit Simone Inzagi dhe zëvendëspresidentit Havier Zaneti. Bashkë me ta ka folur edhe Davide Kalabria, kapiteni i Milanit që gjithashtu ka pasur kontakte me tifozët e kuqezinjve. Vlen të theksohet fakti që asnjë nga futbollistët apo drejtuesit nuk ka qenë nën hetim. Ata thjesht kanë dëshmuar për të ndihmuar si persona me informacion për këtë çështje. Mesfushori turk ka thënë se ka pasur raporte me tifozët, por jo darka dhe dreka siç është raportuar në media. “Kam pasur raporte me ultrasit në aspektin personal thjesht për t’i njohur. Por nuk kam marrë pjesë në darkat e tyre”, tha mes të tjerash mesfushori. Ndërkohë ai ka pranuar se nuk e njihte realisht Belokon dhe vetëm nga zbulimi i fotografisë së tij në momentin kur mbeti i vrarë.

RREZIKU- Tani Interi është në ankth për të pritur vendimin rreth Çalhanoglusë, por edhe trajnerit Inzagi. Edhe ky i fundit ka pasur kontakt me një nga ultrasit (Ferdiko), i cili i ka kërkuar bileta për finalen e Stambollit. Nëse do të dënohet për më shumë sesa një ndeshje, atëherë mbetet për t’u parë periudha. Zikaltrit kanë një kalendar shumë të ngjeshur dhe turku është një nga lojtarët e paprekshëm të trajnerit Inzagi. Interi gjithashtu e ka të vështirë të bëjë pa Çalhanoglunë. Sa herë ai del nga fusha e lojës, skuadra prodhon më pak dhe rrezikon më shumë mbrapa.

GENTJAN ALINANI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"