TALLJE ME KLASIKEN/ Sot luajnë femrat U-17 në Elbasan, nuk ka vend për Tirana-Vllaznia!
Në futbolli shqiptar, dy nga klubet më të vjetra, Tirana dhe Vllaznia nuk vlejnë asnjë grosh. Emri i tyre është asgjë për Bashkinë Elbasan, dhe FSHF-në.
Akoma më pak për administratorët e stadiumit “Elbasan Arena”. Klubi AF Elbasani më mirë e ka që të luajnë femrat U17 sesa Klasikja e futbollit shqiptar. Një përbuzje për futbollin dhe historinë e Kategorisë Superiore. Duket qartë se Klasiken nuk e kanë dashur në Elbasan. Zemër ngushtë është treguar edhe Federata Shqiptare e Futbollit. Për një ndeshje U-17, degdisin Klasiken në Lushnjë, në një kohë që ky takim mund të luhej diku tjetër, madje edhe në stadiumin e FSHF-së.
Ç’të themi. Haptazi të gjithë janë kundër klasikes dhe mbi të gjitha ndaj bardhebluve që tani bredhin lart e poshtë nëpër Shqipëri. Vendimi – Tirana do të luajë 85 kilometra larg kryeqytetit. Si fillim ishte vendosur që të luhej në Elbasan ditën e mërkurë në orën 17:00. Çuditërisht më pas ky opsion ra poshtë, pasi të nesërmen(të enjten) luante Dinamo dhe më pas 17-vjeçarët. Drejtuesit e “Elbasan Arena” kanë thënë “jo”, dhe Tiranës i është dashur që të kërkojë ndihmë nga Vllaznia. Shkodranët nuk kanë pranuar që sfidën ta luanin në “Loro Boriçi” si pritës.
Ata nuk kanë dashur që të bëjnë të njëjtën gjë siç ka ndodhur vitet e fundit, duke i thënë “jo” kësaj kërkese të kryeqytetasve. FSHFja ka propozuar që ndeshja të spostohej në Pogradec. Fusha ishte më e mirë, por Vllaznia e kishte shumë larg dhe nuk e pranoi një gjë të tillë. Edhe nga Rrogozhina iu njoftua klubeve se Egnatia kishte mbjellë fushën. Në këto kushte, opsioni i vetëm mbetej Lushnja.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"