“Tani faqe e re në Superiore”, Alia: Mbrojtja nuk ka faj, e mundim sërish Tiranën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 27, 2024 | 21:52

“Tani faqe e re në Superiore”, Alia: Mbrojtja nuk ka faj, e mundim sërish Tiranën

Ndeshja ndaj Tiranës në kryeqytet është ndeshja e radhës ku korçarët duhet të tregojnë potencialin e tyre. Pas fitores në shtëpi përballë Laçit, Skënderbeu kërkon vijimësinë edhe pse përballë kanë një ndeshje dhe një kundërshtar të vështirë.

alia

Përtej gjithçkaje optimizmi në kampin bardhekuq është në majë. Suksesi i fundit ka rritur moralin te korçarët që kërkojnë fitoren e radhës në kampionat. Për gardianin bardhekuq, Marko Alia, kjo ndeshje është një provë gjenerale për forcën e grupit bardhekuq ndaj edhe për këtë përballë Tiranës skuadra duhet të japë maksimumin e mundshëm.

“Vijmë nga një fitore dhe kjo është tepër e rëndësishme për ne. E them këtë, pasi kemi pasur një nisje jo të mirë të sezonit dhe kemi vuajtur shumë mungesën e pikëve. Edhe gjatë kësaj kohe ne kishim besimin se ishte diçka momentale, pasi kemi luajtur mirë, por nuk kemi marrë atë rezultat që dëshironim apo atë që kemi treguar në fushë. Fitorja e fundit na largoi presionin dhe ngarkesën negative, që kemi pasur këto javë. Tani jemi më të qetë, pasi kemi kthyer një faqe të këtij sezoni dhe vijmë nga një fitore.

Tani na lind për detyrë që të vijojmë me rezultatet pozitive dhe të ecim përpara sa i përket objektivave të klubit dhe paraqitjeve tona. Ajo që na jep siguri është fakti se kemi një grup me cilësi dhe lojtarë që mund të bëjnë maksimumin edhe në këtë moment.

Kjo është më e rëndësishmja. Tani na del për detyrë që të jemi më të përqendruar tek objektivi i klubit dhe ta interpretojmë ndeshjen në mënyrën me të mire të mundshme që të arrijmë objektivin e këtij takimi”, theksoi fillimisht Alia.

PARAQITJET – I ndalur më pas te paraqitjet e ekipit në këto gjashtë javë të para, gardiani i korçarëve i ka dalë në mbrojte prapavijës, duke bërë të qartë se nuk është një krizë në mbrojtje, por thjesht janë situata të caktuara që kanë sjellë këtë gjendje në ekip.

“Kam parë statistikat dhe e di që mbrojtja është në bankën e të akuzuarve por mendoj se nuk është diçka kaq e thjeshtë. Nuk ka një çështje përgjegjësie te mbrojtësit, por është një situatë komplekse që ka sjellë këtë rezultat. Kemi pësuar gola naivë dhe kjo është e qartë por ekipi ka balancën e duhur që të tregojë forcën e vet”, vijoi Alia.

TIRANA- I ndalur tek ndeshja e radhës gardiani bardhekuq nuk e sheh si një ndeshje të pamundur, por si një takim që korçarët mund ta kalojnë me sukses. “Ndaj Tiranës në transfertë do të jetë e vështirë dhe kjo është e sigurt, por nuk jemi inferiorë. Kemi ditur të fitojmë ndaj tyre në transfertë dhe ky është fakt. Thjesht duhet të bëjmë ndeshjen më të mirë dhe më pas të shohim”, mbylli prononcimin e tij portieri bardhekuq.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"