Te Elbasani duan kreun, por te verdheblutë ndaj rivalëve kanë një… “ngërç”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 16, 2024 | 19:50

Te Elbasani duan kreun, por te verdheblutë ndaj rivalëve kanë një… “ngërç”

Për një skuadër që sapo është ngjitet në elitë dhe për më tepër ka bërë një revolucion tek lojtarët, të jesh vetëm dy pikë larg vendit të parë dhe në rangun e pretendentëve, mund të konsiderohet si një ecuri pozitive.

Elbasani

E tillë është edhe situata e Elbasanit, që është deri-diku brenda pritshmërive që kanë pasur drejtuesit në fillim të sezonit. Me një bilanc prej tri fitoresh, katër barazimesh dhe vetëm një humbje, verdheblutë mbajnë vendin e shtatë me 13 pikë të grumbulluara, po aq sa edhe Teuta. Paraqitjet dhe pikët e ngrohin disi skuadrën e drejtuar nga Roberto Bordin, por kërkohet një “marsh” më shumë për të treguar potencialin e vërtetë. Një provë shumë e rëndësishme për vazhdimësinë është pikërisht të dielën, ku Elbasani pret Partizanin pretendent.

“NGËRÇI” ME RIVALËT – Kundërshtari i kësaj jave, Partizani, është një rival direkt për elbasanasit sa i përket synimeve për “Final 4”. Përballë kanë kryesuesit dhe një fitore do të bënte që t’i parakalonin të kuqtë në renditje, duke u konsideruar si një motiv ekstra për të tentuar më të mirën e mundshme. Por, këtu qëndron edhe problemi, sepse e tentoi edhe ndeshjen e kaluar të mundte Vllazninë dhe t’i merrte vendin e parë, por nuk ndodhi.

Nga sa vihet re këto tetë ndeshjet e para, verdheblutë kanë treguar se me ekipet direkte e kanë shumë të vështirë që të shkojnë tek fitorja. Me tre ekipet që janë mbi ta në renditje, si Egnatia dhe Vllaznia, kanë dalë në barazim, ndërsa me Dinamon kanë humbjen e vetme. Nga ana tjetër, kanë barazuar edhe me Tiranën që mund të futet tek pretendentët, përpos renditjes aktuale, ndërsa kanë sigluar edhe një barazim në start me Skënderbeun. Partizani është shansi i fundit për këtë fazë të parë për të treguar se nuk kanë asgjë më pak sesa pretendentët e tjerë dhe në njëfarë mënyre mund të konsiderohet edhe si ndeshja e së vërtetës për elbasanasit.

Një tri pikësh do të ngrinte së tepërmi edhe moralin, ndaj në Elbasan i kanë dhënë vlerësimin maksimal për të mos u kënaqur vetëm me një barazim, siç ka ndodhur në ndeshjet me rivalët e tjerë. Këtë herë, shpresohet që edhe faktori fushë t’u vijë në ndihmë, gjë që nuk e kanë shfrytëzuar mjaftueshëm deri më tani, duke ditur edhe mbështetjen e madhe që kanë në shkallët e stadiumit.

CINIK ME TË “DOBËTAT” – Nëse Elbasani deri tani ka marrë mjaftueshëm pikë sa i përket klasifikimit, është cinizmi që kanë treguar me rivalët që të paktën në letër nuk kanë pretendime të mëdha këtë sezon. Tre fitoret e vetme kanë ardhur ndaj dy vendeve të fundit, Laçit dhe Bylisit, si edhe ajo ndaj Teutës. Nga njëra anë kjo tregon për një ekip që i bën vlerësim maksimal çdo kundërshtari dhe merr pikët që i kanë detyrim, por që në fund të sezonit mund të mos mjaftojnë për të arritur synimet.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"