“Të habitur nga lajmi, ishte lojtarë punëtor dhe na prish punë”. Klubi kryeqytetas dënon veprimtarinë e mbrojtësit afrikan, i cili shiste viza false

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 24, 2024 | 22:15

“Të habitur nga lajmi, ishte lojtarë punëtor dhe na prish punë”. Klubi kryeqytetas dënon veprimtarinë e mbrojtësit afrikan, i cili shiste viza false

Yvan Zouzou është futbollisti afrikan që luan në Shqipëri, i cili ka rënë në prangat e Policisë. Sipas një komunikate të uniformave blu, i riu kalonte ilegalisht emigrantët e paligjshëm kundrejt pagesës. Këtë sezon ai ishte pjesë e skuadrës Albanët, që militon në Grupin A të Kategorisë së Dytë.

albanet

Zouzou ka qenë titullar në ndeshjen e së dielës ( 20 tetor), ku skuadra kryeqytetase u mund nga Luzi 2008 në shifrat 7-1 në kompleksin “Internacional” në Pezë. Në të shkuarën futbollisti nga Bregu i fildishtë ka luajtur edhe për Këlcyrën dhe Turbinën, po në Kategorinë e Dytë.

Klubi dënon veprimin e lojtarit

Yvan Zouzou ka qenë titullar në mbrojtjen e Albanëve dhe për skuadrën ka qenë një lojtar i rëndësishëm në fushën e blertë. Klubi kryeqytetas, pasi është njohur me veprimtarinë e jashtëligjshme të afrikanit e kanë dënuar ashpër sjelljen e tij. Drejtori sportiv i Albanëve, Xhek Alushi, për “Panorama Sport” u shpreh: “Në lidhje me ngjarjen e ndodhur, klubi ynë e dënon me forcë këtë veprim të bërë nga lojtari, kur sporti dhe qëllimi i klubit tonë është edukimi me sport i fëmijëve të akademisë sonë. Si lojtar në fushë dhe stërvitje nuk ka qenë problematik dhe për asnjë çast nuk ka treguar shenjë për këtë veprimtari të paligjshme që bënte. Siç e theksova, klubi Albanët e dënon këtë veprim të tij, ndonëse si futbollist ka qenë shumë i mirë”.

Trajneri Birçe- Për futbollistin nga Bregu i Fildishtë ka folur edhe trajneri i Albanëve, Altin Birçe, që për “Panorama Sport” tha: “Unë e njoh mirë nga ana profesionale. Ishte një futbollist i mirë dhe nuk e di se çfarë ka ndodhur me atë. Sot (dje) e kam marrë vesh për ngjarjen, si dhe më ka prishur punë për ndeshjen e radhës. E kisha në projekt si titullar. Nuk e kam idenë për jetën e tij private, por ishte futbollist i mirë, i sjellshëm, mjaft punëtor. Përshtypjet më të mira si lojtar, nuk di çfarë të them tjetër në lidhje me veprimtarinë e tij jashtë fushës”.

Portieri Lenja- Lajmi për arrestimin e Zouzou i ka habitur të gjithë te Albanët dhe këtë e pohon për gazetën edhe portieri Brajan Lenja. “Realisht jam habitur me lajmin për futbollistin tonë. Me sa e njoh, është djali miqësor, shumë punëtor si futbollist, gjithmonë i dashur dhe i komunikueshëm. Nuk e mendoja kurrë se ai mund të merrej me diçka të tillë, pasi nuk të linte atë përshtypje”, u shpreh portieri Lenja.

zouzou

Ja njoftimi i Policisë në lidhje me arrestimin dhe veprimtarinë e mbrojtësit afrikan të Albanëve:

“Finalizohet nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, operacioni policor i koduar ‘Viza’, për goditjen e veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve, kundrejt pagesës. Ndalohet një 21-vjeçar (futbollist), i cili siguronte viza turistike të falsifikuara, për shtetas të huaj, me qëllim hyrjen në Shqipëri dhe më pas kalimin në mënyrë të paligjshme në vendet e BE-së. Procedohen penalisht 2 shtetas të tjerë, pasi dyshohet se ndihmonin 21-vjeçarin. Sekuestrohen 13 viza të dyshuara të falsifikuara, mandate transfertash, dokumente të tjera dhe 2 celularë. Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme të DVP Tiranë, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e aktivitetit të paligjshëm të dhënies ndihmë shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufijve me vendet e BE-së, nëpërmjet tranzitimit në territorin shqiptar, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, kanë goditur një rast të kësaj veprimtarie kriminale, në kuadër të operacionit policor të koduar ‘Viza’. Gjatë operacionit u ndalua shtetasi Y. Z., 21 vjeç, banues në Tiranë, si dhe u proceduan në gjendje të lirë shtetasit Sh. S., 43 vjeç, banues në Tiranë, dhe I. B., 27 vjeç, banues në Gjermani. Nga veprimet hetimore dyshohet se shtetasi Y. Z. siguronte viza të dyshuara të falsifikuara, kundrejt pagesës, për shtetas të huaj, kryesisht nga Lindja e Mesme, për të hyrë në Shqipëri, me qëllim kalimin e paligjshëm të kufijve me vendet fqinje, për të kaluar më pas në shtetet e tjera të BE-së. Në vijim të veprimeve u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasit Sh. S. dhe I. B., të cilët dyshohet se ndihmonin 21-vjeçarin, në këtë veprimtari kriminale. Vijon puna për identifikimin e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale”.

Yvan Zouzou

Datëlindja: 10.12.2003

Vendlindja: Bregu i Fildishtë

Pozicioni: Mbrojtës

Klubet ku ka luajtur:

Këlcyra

Turbina

Albanët

ABDULLA DUSHKU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"