Te Juventusi nuk bëjnë dot pa të, bardhezinjtë kanë krijuar varësi nga Vlahoviçi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 17, 2024 | 23:28

Te Juventusi nuk bëjnë dot pa të, bardhezinjtë kanë krijuar varësi nga Vlahoviçi

Fjalori e përkufizon varësinë si “pamundësinë për të bërë diçka pa një person”. Nëse i qëndrojmë këtij përkufizimi mund të themi lehtësisht se Juventusi është i varur nga Dushan Vlahoviç.

vlahovic

Nëse këtë gjë e shohim të “zhveshur” nga situata aktuale ku ndodhet Juventusi, mund të mos shihet si diçka negative. Një trajner që ka në skuadër një lojtar që i ka shënuar 7 gola në këtë start sezoni sigurisht që nuk do të mendonte ta zëvendësonte. Megjithatë, nëse shohim situatën e Juves si qëndron, Tiago Mota më shumë sesa me dëshirë, është i detyruar që të aktivizojë sulmuesin serb në çdo ndeshje.

Mungesa e një zëvendësuesi ka detyruar trajnerin bardhezi ta hedhë në fushë edhe pse rotacioni me shpeshtësinë e ndeshjeve që po luhet është domosdoshmëri. Mjafton të kujtojmë se golat e Vlahoviçit kanë ardhur në 22 ditë dhe ky rritëm pritet të vazhdojë edhe për pjesën e mbetur të sezonit.

NUMRAT- Varësia që Juventusi ka nga Dushan Vlahoviçi mund të shihet edhe statistikisht. Sulmuesi serb ka zbritur në fushë për “Zonjën” në 758 minuta nga 810 në total. Të vetmet raste që Tiago Mota ka vendosur ta zëvendësojë janë 7 minutat e fundit ndaj Romës dhe pjesa e dytë e përballjes me Napolin. Nëse e krahasojmë me vitin e kaluar, me të njëjtin numër ndeshjesh, Dushan Vlahoviç është aktivizuar vetëm 451 minuta, por pa harruar faktin se luante në një skemë ku ishin dy sulmues dhe nuk e kishte ai të gjithë peshën.

Këtu hynë pikërisht mungesa e alternativave. Nëse Arkadiuzh Milik do të ishte i disponueshëm për Tiago Motën, edhe Dushan Vlahoviç do të kishte më shumë frymëmarrje. Për fat të keq kushtet janë të tilla që serbi duhet të vazhdojë të luajë, me Motën, që shpreson mos të dëmtohet.

TË TJERËT- Numrat nuk mund të fshihen, janë të shkruara e bardha mbi të zezë dhe Vlahoviç rezulton se është lojtari më i përdorur nga Mota te Juventusi në këtë start sezoni. Ai renditet në vendin e parë, duke lënë pas Andrea Kambiason me 731 minuta, e madje dhe portierin Mikele Di Gregorio i cili është aktivizuar 599 minuta me Juventusin.

Këto statistika bien në sy edhe kur Vlahoviç krahasohet me lojtarët e tjerë të klubeve të rëndësishme në Itali. Lojtari që i afrohet më shumë është sulmuesi i Interit, Markus Turam i cili ka luajtur 618 minuta, pak a shumë dy ndeshje më pak se serbi. Më pas vijnë Retegui me 604 minuta, Lautaro Martinez me 541 e Romelu Lukaku me 363 minuta.

PUSHIMI- I vetmi moment ku Dushan Vlahoviç ka pushuar është kur trajneri i Serbisë vendosi mos ta grumbullonte në kombëtare për ndeshjet e fundit. Ai qëndroi në Torino dhe po punon me pjesën e mbetur të skuadrës, në prag të sfidës së rëndësishme ndaj Lacios. Serbi po bëhet gati për një tjetër tur force që po e pret.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"