“Të marrim sa më shumë pikë, llogaritë i bëjmë në fund”. Valbona “i mbyti” në fazën e parë, Xhafa: Lushnja ia del tani
Në kuadrin e përgatitjeve për ndeshjen me Valbonën, lushnjarët zhvilluan dje një ndeshje miqësore me skuadrën kosovare, Trepça ’89. Takimi u zhvillua në fushën stërvitore të Plugut, që u fitua nga skuadra kosovare me rezultatin e thellë, 5-1.
Trajneri i Lushnjës, Erion Xhafa, për “Panorama Sport” tha se futbollistët e akademisë duhet ta ndjejnë të prekshëm ekipin e parë. “Qëllimi dhe synimi i ndeshjes miqësore me Trepçën ishte vazhdimi i një projekti, i cili ka nisur që kur kam marrë drejtimin e skuadrës. Objektivi ynë është evidentimi dhe mbështetja ndaj futbollistëve të akademisë. I kam ndjekur dhe do të vazhdoj ta bëj deri në fund, në çdo ndeshje dhe stërvitje, sa herë kam mundësi. E di që për ata është e rëndësishme dhe i motivon shumë për t’u rritur, duke ndjerë interesimin e ekipit të parë.
Është ndeshja e dytë që organizojmë për t’i dhënë vazhdimësi. Pra, që ata ta ndjejnë të prekshëm ekipin e parë. Ndeshja e parë ka qenë me Tomorin (13 nëntor 2024, Tomori –Lushnja 1-3), ndërsa e dyta ishte këtë të martë. Do të vazhdojmë t’i kemi në vëzhgim. Në të ardhmen mund të ketë ndeshje të tjera. Uroj që ndonjëri prej tyre, në të ardhmen të bëhet i rëndësishëm për ekipin e parë”, deklaroi tekniku i lushnjarëve Erion Xhafa.
Valbona- Të shtunën, lushnjarët mbyllin fazën e dytë të kampionatit në transfertën e Tropojës. Trajneri Xhafa pohoi se ekipi i ka të gjitha mundësitë për të marrë maksimumin kundër Valbonës. “Ndeshja po përgatitet si gjithmonë me seriozitet, dëshirë dhe respekt ndaj punës dhe kundërshtarit. Do të përballemi me një kundërshtar, që po lufton në çdo ndeshje. Do të kërkojë ta bëjë edhe ndaj nesh, pasi kanë një ekip të fortë. Kanë një kundërsulm të rrezikshëm, si dhe të mos harrojmë, se na kanë mundur në shtëpinë tonë.
Prandaj, duhet vlerësim maksimal dhe të jemi të aftë të vuajmë e të durojmë, për t’u imponuar lojën tonë. Duhet t’i godasim sa të na jepet mundësia. Parashikoj një ndeshje të vështirë, por, ne i kemi të gjitha mundësitë për të marrë maksimumin nga kjo transfertë”, tha trajneri Xhafa. Ndryshe nga ndeshjet e shtëpisë, Lushnja i ka fituar dy transfertat e fundit, me Erzenin dhe Kukësin. “Nuk i ndaj ndeshjet, në transferta dhe në shtëpi. Në mentalitetin tim, çdo ndeshje duhet fituar. kudo që luhet. Çdo ndeshje ka specifikën dhe historinë e vet. Prandaj, ne kemi detyrimin të japim maksimumin për të provuar e të fitojmë çdo njërën prej tyre. Në fund, është fusha ajo që jep verdiktin. Besoj te fitorja në çdo ndeshje, si dhe te futbollistë e mi. Besoj te stafi im, por mbi të gjitha, besoj te puna që po zhvillojmë”, vijoi Erion Xhafa.
Objektivi- Lushnja i është larguar disi vendit të gjashtë, por shpreson te një pozicionim sa më i mirë pas përfundimit të dy fazave të para, në pritje të zbardhjes së kalendarit të fazës së tretë. “Derisa matematika dhe logjika të na mbajë gjallë, besoj në çdo objektiv të mundshëm. Ashtu siç duhet të kemi kujdes edhe nga “play out”-i. Fokusi ynë është që t’i marrim ndeshjet një e nga një, duke bërë maksimumin, sepse kampionati është i vështirë dhe renditja mbetet e ngjeshur. Objektivi ynë do të jetë gjithmonë ndeshja e radhës. Me qëllimin e vetëm, të fitojmë dhe grumbullimi i sa më shumë pikëve. Në fund, të shohim ku do të renditemi”, përfundoi trajneri Erion Xhafa.
ALBAN ALUSHI- PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"