“Të nxjerrësh kampion ekipin shkodran më duket lojë fëmijësh”, Klodian Duro: Drejtuesit s’më konsiderojnë, bëjnë autoshkollë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 24, 2024 | 21:27

“Të nxjerrësh kampion ekipin shkodran më duket lojë fëmijësh”, Klodian Duro: Drejtuesit s’më konsiderojnë, bëjnë autoshkollë

Klodian Duro ka qenë një prej pjesëtarëve të Vllaznisë kampione në vitin e largët 2001. Ish-mesfushori i Kombëtares ka shkëlqyer me fanellën kuqeblu dhe jo vetëm, duke qenë një nga mesfushorët më të fortë të kohës së tij, por edhe brezave që ndoqën më pas.

Klodian Duro

Së fundmi ai ka folur për mediat lokale shkodranë, saktësisht në emocionin “Star Sport”, ku nuk zgjedh ta fshehë aspak aspiratën e tij që një ditë ta drejtojë Vllazninë dhe të provojë ta nxjerrë kampion. Gjatë fjalës së tij ai shprehet se të shpallësh kampion Vllazninë e sivjetshme është diçka lehtësisht e arritshme.

ME LAÇIN – “Ishte një humbje zhgënjyese e Vllaznisë në Laç. Një ndeshje e dobët, sidomos pjesa e dytë ishte totalisht për t’u harruar nga ana e Vllaznisë. Normalisht, ajo duhet të jetë e lumtur që ndeshja përfundoi me atë rezultat, sepse me aq raste sa Laçi krijoi në pjesën e dytë, ndoshta rezultati mund të ishte edhe më i thellë. Personalisht, unë nuk e mendoja që Vllaznia mund të humbte me Laçin, sepse ky i fundit ka problemet e veta”.

PRITSHMËRITË – “Mbi të gjitha prisja një Vllazni që të luajë si pretendente për kampion, ashtu siç vetë drejtuesit dhe presidenti Xhaferi kanë në synimet e tyre. Vllaznia ka marrë një trajner gjerman, siç është Brdariç, për të cilin kam shumë respekt për karrierën e tij të madhe si futbollist. Një trajner, që e njeh edhe ambientin e Vllaznisë, njeh stadiumin, kundërshtarët, kam pionatin shqiptar dhe nuk arrij ta kuptoj pastaj mënyrën e menaxhimit të lojës. Nuk arrij t’i kuptoj disa gjëra që ai bën gjatë ndeshjes”.

MUNGESAT – “Megjithatë, një ekip i ndërtuar për kampion, nuk duhet t’i ndiejë mungesat. Vllaznia ka shumë punë për të bërë nëse do të jetë pretendente për të fituar Superioren. Normalisht që Vllaznia është dhe do të ngelet gjithmonë ne zemrën dhe në memorien time. Respektin që tregojnë ndaj meje tifozët e Vllaznisë, nuk e kanë treguar drejtuesit në këto katër vite”.

“NËSE” – “Më vjen keq, sepse nuk e di arsyen e tyre të vërtetë, që nga presidenti Xhaferi e të tjerët që janë aty. Për mua, si Duro dhe si trajner, skuadra më e lehtë për të nxjerrë një ekip kampion në Shqipëri është Vllaznia, sepse i ka të gjithë komponentët e një klubi profesionist futbolli për të punuar shumë qetë dhe pastaj për të dalë kampion. Nuk mundet që Shkodra të duroje 23 vite pa shijuar titullin kampion. Me Xhaferin, Vllaznia ka arritur të fitojë Kupën e Shqipërisë, por asnjëherë nuk ka qenë një ekip aq i fortë sa të fitojë edhe kampionatin shqiptar”.

TRAJNERËT – “Nuk arrij ta kuptoj sesi te Vllaznia kanë ardhur trajnerë që nuk kanë pasur asnjë lidhje me Vllazninë në këto 4-5 vite të Xhaferit në drejtim dhe për asnjë moment, Duro nuk qenka pjesë e planeve për të drejtuar Vllazninë. Mua kjo me lë një shije shume negative. Gjithsesi, kjo nuk ma heq apo lëkund dashurinë që unë kam për Shkodrën.

Unë me Vllazninë vij nesër trajner dhe në maj, Vllaznia ngre trofeun e kampionit. Ua them me bindje këtë. Kam aq eksperiencë në kampionatin shqiptar, sa më duket lojë fëmijësh për të nxjerrë kampion një ekip si Vllaznia. Uroj që ky të jetë viti i fundit që Vllaznia bën prova autoshkolle me trajnerë të ndryshëm”, tha Duro mes të tjerash.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"