Të pamposhtur me Ilir Dajën, si kanë ndryshuar blutë e Dinamos

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 6, 2024 | 21:21

Të pamposhtur me Ilir Dajën, si kanë ndryshuar blutë e Dinamos

Goleada e së hënës ndaj Elbasanit ishte një tregues i qartë i ndryshimit të Dinamos së këtij sezoni, e investuar për të qenë në Europë, pse jo dhe kampione e vendit.

ilir daja

Dhe një nga faktorët kryesorë të ndryshimit është pa dyshim trajneri Ilir Daja, me të cilin kryeqytetasit janë të pamposhtur. Blutë deri tani kanë zhvilluar 9 ndeshje me Dajën në krye dhe kanë grumbulluar 17 pikë, duke mbajtur aktualisht vendin e 3-të dhe 1 pikë pas kreut.

Ndryshimi i Dinamos është i qartë dhe nuk reflektohet vetëm në tabelën e renditjes. Me Dajën në stol skuadra ka ndryshuar së pari mentalitetin, duke shfaqur vazhdimisht karakter me disa fitore të arritura në sekondën e fundit. Dinamo nuk dorëzohet lehtë si sezonin e shkuar.

Kryeqytetasit kanë pasur luhatje në lojë dhe këtë gjë trajneri e ka pohuar publikisht, por në çdo rast ia kanë dalë të marrin rezultat pozitiv. Kjo është thelbësore për një klub me pretendime të rëndësishme këtë sezon. Edhe kur pësojnë gol blutë reagojnë mirë dhe tregojnë forcën e tyre, siç ka ndodhur në ndeshjet kundër Partizanit, Vllaznisë, Egnatias dhe Bylisit.

Dinamos nuk i mungon kualiteti dhe gradualisht, me “dorën” e trajnerit Ilir Daja, po krijon portretin e saj si një nga pretendentet kryesore për “Final 4”-in dhe jo vetëm. Tekniku 58-vjeçar e nisi aventurën blu në derbin me Partizanin dhe të shtunën luan aktin e dytë ndaj këtij rivali.

ilir daja

Sigurisht, Daja tashmë e njeh mirë skuadrën, që ka përmirësuar disa elementë javë pas jave dhe shkon në sfidën e kësaj fundjave me besimin për t’u luajtur ballazi kryesuesve. Për më tepër që morali në këtë moment është në nivel maksimal.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"