“Te Vllaznia ndihem mirë, dua të vijoj me këtë ritëm”, Qato: Synojmë “Final 4”, pastaj shohim dhe bëjmë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 13, 2024 | 22:28

“Te Vllaznia ndihem mirë, dua të vijoj me këtë ritëm”, Qato: Synojmë “Final 4”, pastaj shohim dhe bëjmë

Klinti Qato ishte një nga futbollistët më të mirë për ekipin e Vllaznisë në përballjen kundër Egnatias. Mesfushori mori vlerësime edhe nga vetë trajneri Tomas Brdariç në përfundim të takimit. Shënoi një gol shumë të bukur me një goditje nga distanca, si edhe dhuroi një asist.

Qato Vllaznia

Me këtë paraqitje, duket sikur Qato e ka gjetur shumë shpejt veten te Vllaznia. Në një intervistë për “Panorama Sport”, 26-vjeçari i lindur në Kuçovë, nuk e ka fshehur gëzimin e golit të parë me ngjyrat kuqeblu.

Shënuat golin e parë me Vllazninë, sa i kënaqur jeni, jo vetëm për golin, por edhe për paraqitjen?

Ishte një fitore shumë e rëndësishme pasi ne luajtëm në fushën tonë. Dominimi ynë ishte i dukshëm dhe shpresoj që të vijojmë me paraqitje si këto. Po ashtu jam shumë i lumtur për golin tim të parë me fanellën e Vllaznisë dhe shpresoj të vazhdoj me këtë ritëm.

Fitore edhe me Egnatian, sa i aftë është ky grup që të krijojë një vazhdimësi rezultatesh?

Fitorja me Partizanin na dha shumë besim, barazimi me Tiranën ishte me vlera. Ajo humbje në Korçë na zbehi pak entuziazmin, por kjo fitore ndikoi pozitivisht te të gjithë ne dhe te unë pa asnjë dyshim. Fitorja na dha më besim te vetja për vazhdimësinë. Unë besoj shumë te ky grup.

Besoni se i njëjti sukses do të jetë edhe me përballjen kundër Teutës, që është ndeshje e radhës?

Shpresoj që të bëjmë më të mirën në takimin me Teutën. Ata janë në një moment të mirë sepse fituan me Skënderbeun, por kam besim se do të marrim një tjetër rezultat pozitiv.

Jeni një ndër afrimet e kësaj vere në Shkodër, si ndihet Qato te Vllaznia?

Realisht dua të falënderoj të gjithë që më dhanë këtë besim për të ecur përpara. Ndihem shumë mirë në Shkodër.

Deri ku mund ta shikojmë këtë Vllazni?

Synimi ynë i parë është që të kapim “Final 4”, pastaj të shikojmë më tej.

ADMIR URUÇI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"