Tenis/ Federer: Mungesa e Nadalit në Paris do të ishte humbje e madhe
Rafael Nadal, i cili në qershor do të festojë 37-vjetorin e lindjes, nuk po kalon momente të mira, kjo për shkak të problemeve të shumta fizike.
Tenisti spanjoll, fituesi i 22 turneve grand slam, nuk zbret në fushë që prej “Australian Open”. Momenti i vështirë që po kalon Nadal ka shqetësuar edhe Roxher Federerin, i cili përveçse një rival i vjetër, mbetet një mik i madh i spanjollit. Në një deklaratë të tij të bërë së fundmi, Federer ka komentuar gjendjen e Nadalit: “Mendoj se do të ishte e rëndë për tenistin nëse Rafael nuk do të merrte pjesë në Roland Garros. Unë shpresoj që ai të luajë. Kam parë që është tërhequr nga të gjithë turnetë, ndaj i uroj më të mirën dhe rikthim sa më të shpejtë në fushë.
Megjithatë Rafael është ai që e njeh më mirë trupin dhe gjendjen e tij. E kuptoj që kjo situatë nuk është aspak e lehtë për të. Ajo që mund t’i them është që uroj që kjo periudhë ta karikojë”, u shpreh Federer, i cili para tërheqjes ka pasur gjithashtu probleme të shumta fizike, të cilat e detyruan të thotë “stop”.
Kujtojmë se turneu Roland Garros, eventi i preferuar i Nadalit (14 triumfe), do të nisë më 22 maj, por ende nuk është e qartë pjesëmarrja e spanjollit.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"