TENIS/ Trajnerët e Sinerit, më të mirët e vitit. Thumbon Xhokoviç: Të fitosh 3 Grand Slam nuk qenka mjaftueshëm
Simone Vanjoci dhe Darren Kahill, trajnerët e Janik Siner, fituan çmimet ATP si trajneri i vitit 2023. Kjo ishte hera e parë që ky çmimi iu akordua dy trajnerëve dhe jo një individi. Vanjoci dhe Kahill u shpërblyen për punën e bërë me tenistin italian, i cili u ngjit deri në vendin e katërt në botë gjatë sezonit që sapo u mbyll.
Të dy trajnerët mundën Kreg Bointon (trajneri i Hurkaz), Huan Karlos Ferrero (trajneri i Alkaraz), Goran Ivaniseviç (trajneri i Xhokoviç) dhe Brian Shelton (Ben Shelton).
IRONIZON NOLE – Zgjedhja për të shpërblyer dy trajnerët e tenistit italian si më të mirët e sezonit nga ATP-ja, nuk është pritur mirë nga Novak Xhokoviç. Tenisti serb ka reaguar me anë të një postimi në “Instagram”, teksa fillimisht i ka komplimentuar trajnerët e Sinerit, por më pas ka thumbuar me nota ironie, duke u shprehur se ky çmimin i takonte trajnerit të tij, Goran Ivaniseviç. “Goran, mendoj se duhet të fitosh 4 nga 4 Slam për t’u konsideruar, ndoshta si trajner i viti….
Të mbyllësh sezonin me vendin e parë, GS (Golden Slam) dhe të bësh historinë e këtij sporti, dreqi ta hajë, nuk mjafton, trajneri im i dashur”, shkruan numri një i botës. Kujtojmë që Novak Xhokoviç ka pasur një sezon të shkëlqyer, duke fituar 3 nga 4 turnetë Grand Slam në vitin 2023. Tenisti serb triumfoi në Australian Open, Roland Garros dhe në US Open. Ndërsa suksesi në Uimbëlldon shkoi për spanjollin Karlos Alkaraz.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"