TENIS/ Xhokoviç dhe Alkaraz, sërish përballë në finalen e Uimbëlldonit
Ashtu sikurse një vit më parë, turneu grand slam i Uimbëlldonit do të vendoset nga finalja ndërmjet Novak Xhokoviç dhe Karlos Alkaraz, me serbin që do të kërkojë hakmarrje ndaj spanjollit.
Si Xhokoviç, gjithashtu edhe Alkaraz nuk e patën aspak të vështirë në gjysmëfinale, duke fituar bindshëm. Nole mposhti italianin Lorenco Muzeti me rezultatin e pastër 3- 0 (6-4 7-6(2) 6-4 ) në një takim të dominuar, që zgjati 2 orë e 51 minuta. Xhokoviç u shfaq superior në fushën më bar të turneut prestigjioz londinez, aty ku regjistron 7 nga 24 triumfet e tij në turnetë grand slam.
Gjithashtu shkëlqeu edhe Alkaraz, i cili u bë finalisti i parë, teksa likuidoi me rezultatin 3-1 (6-7, 6-3, 6-4, 6-4), rusin Danil Medvedev. Një sukses që erdhi me përmbysje për Alkarazin, pas një dueli që zgjati 2 orë e 55 minuta. 21-vjeçari spanjoll tashmë do të kërkojë triumfin e dytë radhazi në Uimbëlldon, pikërisht ndaj Xhokoviçit, rivalit që mundi vjet në finale.
Dy tenistët do të matin forcat për trofeun të dielën në orën 15:00. Ndërsa sot në orën 15:00 do të jetë radha për finalen e femrave ndërmjet çekes Barbora Krejçikova dhe italianes Jasmin Paolini.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"