TENIS/ Xhokoviç snobon “Finals”: Nuk janë më objektiv për mua

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 18, 2024 | 15:42

TENIS/ Xhokoviç snobon “Finals”: Nuk janë më objektiv për mua

“Finals’ në Torino nuk janë objektivi im”, janë fjalët e Novak Xhokoviçit, që lënë pak hapësirë për interpretim lidhur me dëshirën e serbit për të marrë pjesë në turneun e mjeshtërve në fund të vitit.

xhokovic

Xhokoviç është kampioni në fuqi i këtij kompeticioni, teksa vitin e kaluar mundi Jnnik Sinerin në finale, por aktualisht është jashtë tetëshes më të mirë të Garës. Diferenca nga Aleks de Minaur, i cili aktualisht zë vendin e fundit, është shumë minimale. Xhokoviç është i nënti, 45 pikë prapa australianit, por kjo duket se nuk i intereson numrit katër të botës në klasifikimin ATP, i cili i ka shpjeguar qartë objektivat e tij në të ardhmen e afërt:

“Nuk jam duke ndjekur finalet e ATP-së dhe nuk po ndjek as renditjen. Për sa më përket mua, kam mbaruar me ato turne për karrierën time. Prioritetet e mia kryesore janë të luaj për ekipin tim kombëtar dhe në turnetë grand slam. Kam fituar gjithçka. Jam 37 vjeç, pashmangshmërisht diçka ka ndryshuar”, shprehet kampioni serb, i cili më tej vijon:

“Zakonisht në karrierën time e kam planifikuar çdo gjë gjashtë muaj përpara, por sot nuk është më kështu, tani është më spontane. Më duhet të pushoj fizikisht, emocionalisht dhe mendërisht për të filluar të mendoj se çfarë dua të bëj më pas, si, kur dhe ku. Për të zgjatur karrierën time, duhet të argëtohem, duhet të zgjedh me mençuri turnetë ku do të luaj”, deklaron Xhokoviç.

I RELAKSUAR – Novak Xhokoviç konfirmoi se do të luajë ATP 1000 në Shangai, për të “vendosur më pas me qetësi”. Në fund të fundit, 24 herë fituesi i turneve grand slam, ka arritur gjithashtu të bëjë të tijat shtatë triumfe në “Finals” (rekord absolut) dhe tashmë e ka bërë të qartë prej disa kohësh se prioritetet e tij janë diku tjetër, por sigurisht një turne i lojtarëve më të mirë në botë pa kampionin serb është vështirë të imagjinohet.

Nole ia ka arritur qëllimit të vetëm, të vërtetë, madhështor të sezonit, medaljen e artë olimpike, të vetmin titull që i mungonte dhe tani duket është një sportist në paqe me veten. Ai fitoi gjithçka, dha gjithçka. Sigurisht, të shohësh Xhokoviçin kaq të relaksuar, pa atë “zjarrin” që e shoqëroi për gati 20 vjet të karrierës së tij, është vërtet e çuditshme.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"