Tension dhe ndërprerje, Apolonia tre gola për tri pikë në Peshkopi. Pajaziti: Fitore frymëmarrje. Topi: Tani ndihemi më të çliruar
Apolonia ngjit me marsh të tretë “majën” e Korabit. Apolonia ka befasuar, bindur dhe mposhtur me rezultatin e thellë 0-3 Korabin në Peshkopi. Fitorja e fierakëve u vendos nga Topi dhe dyshja sulmuese Maksuti-Umejiego.
Skuadra e Sedat Pajazitit, me këtë fitore kap vendin e tetë, dhe së bashku me Kukësin është në kuotën e 9 pikëve.
Ndeshja- Në minutat e para të takimit, vendasit e nisin në sulm, ku në 10 minuta e para gjuajnë edhe 3 goditje nga këndi. Në minutën e 9-të, Korabi i afrohet golit, ku mbrojtësi Kurti vertikalizon topin për Markun, por Kaçaj grushton topin e gjuajtur nga sulmuesin. Apolonia kundërpërgjigjet në të 14-ën me anë të Maksutit, por në fund pret Qyrani. Në të 22-ën Korabi ka një mundësi shënimi me Peraltan, por topi i hiqet nga këmba në momentin e fundit nga kapiteni Asllanaj. Loja vijon me ritëm të lartë nga të dy ekipet, por shifrat do të zhbllokoheshin në fundin e pjesës së parë, pikërisht në minutën e 44-t. Rrëmujë në zonë dibrane dhe në fund është Enea Topi, i cili me një të majtë të fortë mposht portierin Qyranin.
Me fitoren 1-0 për Apoloninë mbyllet pjesa e parë. Fraksioni i dytë nis mbarë për fierakët, që në minutën e 48-të dyfishojnë rezultatin. Maksuti përfiton nga një gabim i mbrojtjes së Korabit dhe pas asistit të Umejiegos, i lirë përballë portierit Qyrani shënon, 0-2. Pas golit të dytë, fierakët e ulin ritmin e lojës dhe Korabi shtyn përpara për të ngushtuar diferencën, por nuk ia del. Në minutën e 55-të, loja ndalet. Mbrojtësi Andoni çan vetullën pas një përplasjeje kokë më kokë me sulmuesin Umejiego. Stafet mjekësore respektive i japin ndihmën e parë dhe pas 2 minutash, lojtari dërgohet në spitalin e Peshkopisë, ku merr ndihmë më të specializuar.
Vendin e tij e zë mbrojtësi tjetër Lushaku. Loja mbetet e ndalur dhe shkak është largimi i ambulancës. Kjo e fundit rikthehet pas tetë minutash në stadium dhe loja rinis në minutën e 65-të. Korabi u përpoq të ndryshojë diçka në lojë, krijoi edhe disa raste, por pa mundur të ndryshojë rrjedhën e takimit. Në minutën e 80-të, Kryemadhi hedh një top të gjatë në zonë, Peralta pason bukur me kokë te Marku, ky i fundit shënon, por goli anulohet për pozicion të parregullt. Ky vendim i gjyqtarit anësor Shkëmbi solli pakënaqësi dhe revoltë në shkallët e stadiumit, me tifozët dibranë që hodhën sende të forta, gurë, çakmakë dhe shishe në drejtim të tij. Loja ndalet për herë të dytë, veçse këtë herë për 5 minuta. Në minutën e 7 minuta shtesë Umejiego lëshoi një “predhë” nga rreth 20 metra, pas topit të kthyer nga mbrojtja e Korabit dhe “sfera” shkon në rrjetë. Minutat e mbetura të kohës shtesë administrohen mirë nga fierakët, duke mos pasur më histori ky takim.
KORABI – APOLONIA 0-3
GOLAT: Topi 44’, Maksuti 48’, Umejiego 90+7’
KORABI: Qyrani, Paplekaj, Andoni (Lushaku 57’), Sina, Kurti (Reçi 69’), Mziu, Stana, Kryemadhi, Peralta, Buci (Shehu 46’), Marku; (Në dispozicion: Alla, Çomo, Halilaj, Tota, Cikani, Tasho, Fida. Trajner: Agim Canaj
APOLONIA: Kaçaj (Bushi 90+8’), O.Repaj, Ndubuisi, Asllanaj, Kofi, Musa, Topi, Bejzade, Trifoni (Rajmond 90+8’), Maksuti (Çulli 69’), Umejiego; (Në dispozicion: Gabriel, Opejemi, Kananaj). Trajner: Sedat Pajaziti
Kartonë të verdhë: Andoni 45’, Lushaku 77’, Mziu 80’ / Bejzade 8’, Asllanaj 45’, Kaçaj 45+1’, Umejiego 55’
Gjyqtarë: A.Stolaj, E.Doda, D.Shkëmbi (Tiranë)
Vëzhgues: Gëzim Gaçi (Tiranë)
Delegat: Justin Bespalla (Durrës)
Trajneri
Pajaziti: Tri pikë frymëmarrje për mua dhe ekipin
Trajneri i Apolonisë, Sedat Pajaziti, pas suksesit të paralajmëruar në Peshkopi, për “Panorama Sport” tha: “Fitore çliruese, që na rrit moralin dhe besimin për vazhdimësinë, si dhe na jep qetësi për të përgatitur me kujdes ndeshjen e radhës. Ishte një transfertë e vështirë. Kishim përballë një kundërshtar të fortë, por ditëm të jemi solidë në prapavijë dhe efikas në sulm. Shfrytëzuam mundësitë e shënimit dhe triumfuam. U gëzohem tri pikëve dhe fitores së thellë, pasi është frymëmarrje për mua, lojtarët dhe klubin. Duhet të vijojmë kështu, pra me rezultate pozitive, nga ndeshja në ndeshje për ta përmbyllur me sukses këtë fazë të parë, që duhet pranuar nuk ishte më e mira”.
Shënoi golin e parë
Enea Topi: Sukses me vlera, tani ndihemi më të çliruar
Enea Topi, autori i golit të parë të Apolonisë, pas fitores në Peshkopi, për “Panorama Sport” u shpreh: “Fitorja vlen shumë, si për pikët në renditje, por edhe për moralin e ekipit. I futën në fushë me besim të plotë për të marrë tri pikët dhe ia dolëm me sukses. Edhe pse ishte një transfertë e vështirë, mendoj se kemi bërë thjesht detyrën, por mund të quhet edhe autokritika e duhur për momentin e vështirë ku ndodheshim. Për mendimin tim, çelësi i kësaj fitore ishte se vendosëm zemrën dhe dhamë shpirtin në fushë, si dhe zbatuam me përpikëri detyrat e trajnerit. Me këtë trepikësh ndihemi më të çliruar, por duhet të jemi me këmbë në tokë dhe t’i marrim ndeshjet me radhë. Për golin jam shumë i lumtur, ishte i treti sezonal, por më shumë i gëzohem fitores së skuadrës dhe marrjes së tri pikëve. Secili prej nesh, pa përjashtim, përpiqet dhe lufton për suksesin e përbashkët”.
HILMI SALIU- PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"