Test me Vorën dhe Tiranën, Magani: Koha për t’u korrigjuar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 23, 2022 | 13:45

Test me Vorën dhe Tiranën, Magani: Koha për t’u korrigjuar

Besa nuk ka kohë të pushojë, edhe pse është ndërprerë gara. Paralelisht me stërvitjen, do të ketë edhe miqësore. Seancat këto ditë po zhvillohen në aneksin e stadiumit dhe përtej shiut, ngarkesat nuk kanë munguar.

MAGANI

Stafi teknik ka menduar direkt që të planifikojë edhe ndeshje, për të parë në kushte loje grupin. Janë programuar dy të parat, që do të zhvillohen në transfertë. Sot do të udhëtojnë drejt Vorës, për t’u ndeshur me ekipin që inauguroi para disa javësh impiantin e ri. Miqësorja nis në orën 12:00, megjithatë është në rrezik. Nëse do të ketë reshje të dendura, mund edhe të anulohet.

Një tjetër kundërshtar këtë herë shumë më i fortë do të jetë Tirana e “Abissnet Superiore”. Kryeqytetasit do të mirëpresin Besën ditën e shtunë në kryeqytet. Trajneri Gugash Magani sqaron se mosha tejet e re e grupit, ka nevojë të përhershme për të luajtur e korrigjuar.

“Të kesh djem të rinj me perspektivë në ekip, sigurisht se kërkohen sa më shumë miqësore. Ata kanë nevojë e dëshirë të jenë gjithnjë në tempin e garës dhe shkëputja 1 muaj për vetë moshën e tyre është shumë. Prandaj vendosëm që këtë periudhë ta mbushim me ndeshje miqësore. Për mua nuk ka asnjë vlerë rezultati, por dëshiroj ta mbaj grupin të karikuar dhe të korrigjojmë ato dobësi që u shfaqën në 10 javët e para. Do t’u jap shansin e aktivizimit të gjithëve, që të shohin vetë gjendjen në të cilën janë dhe të nxiten të punojnë më fort në kohën e mbetur të përgatitjeve”, tha shkurtimisht tekniku për “Panorama Sport”.

FERIZ FERIZAJ-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"