Testet e sezonit të ri, Hamilton e nis me aksident te Ferrari
Ferrari ka zhvilluar dje ditën dytë të testimeve private që po realizon këtë javë në Barcelonë, ndërsa vëmendjen kryesore e ka marrë incidenti i Luis Hamilton. Piloti britanik ka shpëtuar i padëmtuar nga përplasje rreth orën 11:00, teksa po përfundonte sektorin e tretë të cirkuitit në Katalonjë.
Shtatë herë kampioni i botës u përplas në barrierat e pistës teksa drejtonte një version të modifikuar të Ferrari SF-23. Sipas raportimeve, makina ka pësuar dëmtime në zonën e amortizimit dhe në disa pjesë aerodinamike. Hamilton doli pa dëmtime nga makina, ndërsa njëvendëshja më pas u dërgua përsëri në bokse, me Ferrarin që po analizon shkakun e incidentit.
Në mesditë në pistë duhej të zbriste për teste piloti tjetër i Ferrarit, Sharl Lëklerk, po seanca e testimit u shty për disa orë. Kujtojmë që këto testime konsistojnë në 1000 km në vit për çdo ekip në F1, për të përdorur makina që janë minimalisht dy vite më të vjetra. Provat nga Lëklerk u vonuan ndërsa Ferrari riparoi makinën SF-23. Testet e “kokëkuqes” do të vijojnë edhe në ditën e sotme në Barcelonë, ndërsa këto prova pasojnë ato të javës së kaluar në shtëpinë e Ferrarit në Fiorano, të zhvilluara javën e kaluar.
Testet, veçanërisht në vitin e parë të një piloti, janë për tu përshtatur me shumë elementë të rinj, që nga komandat, frenat, kutia e shpejtësisë apo motori, me të cilat duhet të mësohet. Këto prova janë të zakonshme për pilotët e Formulës 1 në një nga pistat më të shpejta të kthesave të Botërorit dhe me një seksion të verbër dhe dy kthesa më shumë se 260 km/h përpara se të arrijë në vijën e finishit.
PRECEDENTËT – Për Luis Hamilton kjo nuk është hera e parë që përfundon jashtë në teste gjatë debutimit me një skuadër të re. Britanikut i kishte ndodhur edhe në vitin 2007 në Valencia, në debutimin në F1 me makinën MekLaren. E njëjta situatë i ndodhi edhe në 2013-ën në Herez pas kalimit në radhët e Mercedesit, për t’u përsëritur tashmë pas shumë vitesh në Barcelonë me Ferrarin.
ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"![](https://www.panorama.com.al/sport/wp-content/static/klikoperkepanoramaonline.jpg)