Testi me grekët e Kalitheas, Gvozdenoviç: Humbja “gënjen”, i kënaqur me Skënderbeun e ri
Pavarësisht se e ka nisur me humbje fazën përgatitore me testin e parë miqësor, ku janë mposhtur nga ekipi grek i Kalitheas, korçarët kanë vlerësime pozitive sa i takon daljes së parë në një ndeshje të plotë në fazën përgatitore.I kënaqur duket trajneri i Skënderbeut, Ivan Gvozdenoviç, i cili pas testit miqësor ka theksuar për “Panorama Sport” se kjo humbje me tre gola të pësuar nuk tregon aspak lojën që ka zhvilluar skuadra në tërësi në këtë takim. Për teknikun e korçarëve, ekipi ka treguar cilësi, edhe pse është i ngarkuar me seanca të dyfishta stërvitore dhe muskujt janë të lodhur.
“Nëse flasim për ndeshjen në tërësi, pa e parë rezultatin final, mund të them se jam i kënaqur me atë që ekipi ka treguar në fushë. Treguam se po punojmë mirë dhe jemi në rrugën e duhur. Kam marrë përgjigje pozitive nga pjesa më e madhe e ekipit dhe nga lojtarët e tjerë që janë duke punuar me ne. Normalisht, jemi vetëm në dy javët e para të përgatitjeve dhe kjo na bën që të jemi të mbingarkuar fizikisht, pasi po zhvillojmë dy seanca në ditë dhe kjo të pengon të marrësh maksimumin. Por nga ana tjetër ajo që më kënaq është grinta e lojtarëve dhe aftësitë e tyre në bashkëveprimet me grupin. Do të rritemi më shumë dhe për këtë jam i bindur. Do të jemi gati kur të fillojë kampionati. Më vjen keq vetëm për tre golat e pësuar, pasi i pësuam në goditje të ndaluara. Duhet të jemi më të kujdesshëm”, theksoi fillimisht trajneri i Skënderbeut.
AFRIMET – I pyetur më pas për afrimet e reja në ekip, Gvozdenoviç ka vlerësuar deri tani merkaton e bërë.
“Mund të them fjalë të mira edhe për lojtarët e afruar në merkato. Jo vetëm për atë që treguan në ndeshje. Janë cilësorë dhe do të jenë një forcë e shtuar për ne në sezonin e ri. Kjo është e sigurt. Normalisht kemi ende kohë përpara me qëllim që të përshtaten më së miri me ekipin dhe të kthehen në një trup të vetëm. Kjo do të tregojë akoma më mirë vlerat e tyre. Deri tani them me bindje se merkatoja jonë ka qenë pozitive. Por akoma asgjë nuk është mbyllur. Ne jemi në merkato deri ditën e fundit”, tha Gvozdenoviç.
LLAZI SARO-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"