Tetova garanton impenjim maksimal për finalen: Asnjë tolerim nga Egnatia, duam trofeun e tretë kundër Kukësit
Edlir Tetova ka mundësinë të hyjë në histori me Egnatian e tij, ku sot ka shansin e mirë të bëjë “tripletë” trofesh sezonalë, nëse ia del të mundë Kukësin në finalen e Superkupës. Në daljen e tij para mediave, durrsaku i stolit rrogozhinas pohon se përpos situatës së kundërshtarit, skuadra që ai drejton është e impenjuar maksimalisht për ta fituar këtë trofe që i mungon.
Sa i përket ecurisë në kampionat ai pohon se Egnatia nuk është ende në 100% të asaj që ai ka në kokë. Në këtë periudhë merkatoje kanë nisur të lakohen emrat për lëvizjet e para në janar, por trajneri Tetova preferon të mos zbulojë asgjë, pasi është i fokusuar te finalja e sotme
Tetova, si është atmosfera tek Egnatia në prag të finales së Superkupës? Atmosfera është e mirë, sapo mbyllëm dy fazat e para të kampionatit. Sigurisht që jemi të impenjuar për ndeshjen me Kukësin, që është një finale dhe përgatitjet kanë shkuar shumë mirë.
Ka vlerësim maksimal kjo ndeshje, pavarësisht se kundërshtari është një skuadër e një kategorie më poshtë? Përtej asaj se çfarë i ka ndodhur kundërshtarit, është një finale dhe jo rastësisht Kukësi është aty, edhe pse është në Kategorinë e Parë. Impenjimi ynë është maksimal, sepse e ka emrin finale dhe duhet fituar.
Vitin e kaluar ishit fare pranë, ndoshta këtë vit nuk do ta lejoni t’ju ikë nga duart trofeu? Mbetet për t’u luajtur kjo ndeshje, por impenjimi im, i lojtarëve dhe klubit është maksimal. Luhet për trofe dhe nuk do të ketë asnjë lloj tolerimi për këtë pjesë.
Nëse fitoni Superkupën, mbyllni një vit me “tripletë”. Mund të jetë kjo një dhuratë edhe për festat? Hap pas hapi mendoj për ndeshjen momentalisht dhe pastaj për të festuar. Finalet, siç kemi parë edhe në botë, çfarë nuk kanë treguar, ndaj impenjimi është maksimal dhe do të shohim mbrapa.
Si do ta konsideroni këtë vit pas kësaj ndeshjeje të fundit? Me gjithë lëvizjet, përtej atyre dy trofeve, mendojmë për të tretin brenda një viti. Është diçka e madhe për mua si trajner, për klubin dhe lojtarët. Shpresoj që të jemi në rrugën e duhur, por nuk jemi ende në 100% të asaj që unë kam në kokë.
Për pak ditësh hapet edhe merkatoja e dimrit. Ndonjë lëvizje të mundshme nga ana e klubit për afrimet? Gjithmonë ekipi ka nevojë për freski. Sigurisht duhet frymë e re, me lojtarët që kanë ardhur ne ende nuk i kemi futur në rrjedhën e 100%-shit. Të shohim, nuk është se kemi vendosur gjë.
Në cilin repart mendoni se duhet bërë diçka? Momentalisht nuk ka asgjë, do të shohim në ditët në vazhdim me bordin, pasi të mblidhemi.
Cili është premtimi për tifozët për vazhdimin e kampionatit dhe 2025-ën? Më intereson vazhdimësia e lojtarëve, të kenë rrjedhën e lojës, siç po prodhojmë. Është shumë e rëndësishme për mua si trajner që ekipi të jetë aty prezent. Ngërçin e kemi pasur ndeshjen e fundit para portës dhe shpresoj që të bëjmë më mirë vitin që vjen.
Për këtë finale do të keni një modul tjetër loje, apo si në kampionat? Do të shohim, nuk mund të themi asgjë momentalisht. Sigurisht që kam diçka në kokë. Nuk është çështje moduli tek ekipi ynë, por interpretimi. Nëse interpretohet mirë, janë të gjitha modulet brenda. Shumë e rëndësishme është saktësia, ose koha sesi lojtarët duhet të kryejnë veprimet.
VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"