Teuta kërkon të kthehet te fitorja, Kotobelli: Nuk kemi presion për fitoren në Laç

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 28, 2024 | 10:45

Teuta kërkon të kthehet te fitorja, Kotobelli: Nuk kemi presion për fitoren në Laç

Pas barazimit me Dinamon, Teuta rikthehet sot në fushë për javën 7-të të kampionatit, që e gjen në fushën e Laçit. Durrsakët kanë mbyllur dje përgatitjet për këtë transfertë, ky synojnë të marrin 3 pikët ndaj ekipit që mbyll tabelën e renditjes. Në një intervistë për “Panorama Sport”, kapiteni i Teutës, Blerim Kotobelli, është shprehur optimist se skuadra do të marrë më të mirën.

KOTOBELLI

A është gati Teuta për duelin ndaj Laçit dhe çfarë prisni nga kjo transfertë?
Po, jemi gati për këtë ndeshje të vështirë, ky duam ta rikthehemi te fitorja. Çdo ndeshje është një histori më vete dhe e kemi vlerësuar maksimalisht kundërshtarin. Jemi në gjendje të mirë dhe të përqendruar te kjo ndeshje, që siç e thashë, nuk është e lehtë.

Keni presion për të marrë 3 pikët ndaj Laçit?
Ne e dimë që në çdo ndeshje ka presion, por në çdo ndeshje kërkojmë maksimumin. Jemi të qetë, sepse me presion shpesh ndodhin gjëra jo të këndshme. Kemi motivimin e duhur dhe aspak presion. Jemi një grup i ri, kështu që duhet të kemi durim dhe besim, por jo presion.

Çfarë prisni të përmirësoni nga ndeshja e fundit me Dinamon?
Ekipi i ka mundësitë që nga ndeshja në ndeshje të rritë performancën, nivelin e lojës dhe rrjedhimisht rezultatet. Kemi lojtarë cilësorë dhe që duan patjetër të arrijnë sukses për t’i dhënë kënaqësi atij qyteti që e do ekipin dhe kërkon të jetë gjithmonë lart në renditje.

Laçi mban vendin e fundit në renditje dhe në letër janë shanset për fitore? 
Ne të gjithë jemi optimistë për sfidën e radhës. Për Laçin mund të them që është një ekip i mirë, nuk ka dallime me të tjerët, pavarësisht gjendjes jo të mirë në renditje.

Ju kënaq edhe një pikë në këtë ndeshje jashtë fushe?
E thashë edhe më lart, do të luajmë për tri pikët, pastaj 90 minutat i kanë të tria rezultatet brenda. Është një ndeshje e vështirë dhe një pikë, apo tri pikë, kanë rëndësinë e vet.

ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"