Themelohet Federata Ballkanike e Peshëngritjes, Gjoza zgjidhet president
Për herë të parë sporti i peshëngritjes do të ketë një Federatë Ballkanike dhe president i kësaj federate është zgjedhur kreu i shtangës shqiptare, Elez Gjoza. Gjithçka është formalizuar dje në kongresin e mbajtur në Durrës, aty ku ka marrë jetë zyrtarisht institucioni më i ri rajonal i peshëngritjes.
Një kongres që solli në Shqipëri drejtuesit më të lartë të Federatës Botërore, presidentin Mohamed Zhalud si dhe presidentin e Federatës Europiane, Antonio Konfliti, së bashku me drejtues federatash nga rajoni. I pranishëm ishte gjithashtu edhe presidenti i KOKSH-it, Fidel Ylli. Krijimi i Federatës Ballkanike të Peshëngritjes në Shqipëri shënon një moment të rëndësishëm për zhvillimin e këtij sporti në nivel rajonal dhe ndërkombëtar. Shqipëria ka një traditë të gjatë dhe të suksesshme në sportin e peshëngritjes, me kampionë të njohur që kanë përfaqësuar vendin në arenën ndërkombëtare.
Krijimi i Federatës Ballkanike në Shqipëri synonte të forconte rolin e Shqipërisë si një qendër e rëndësishme për këtë sport në Ballkan dhe më gjerë. Në këtë kuadër, Shqipëria ka luajtur një rol aktiv në organizimin e kampionateve dhe aktiviteteve të peshëngritjes në rajon, duke pritur ngjarje ndërkombëtare dhe ofruar mbështetje për bashkëpunim sportiv midis vendeve ballkanike. Federata Ballkanike e Peshëngritjes synon të koordinojë garat rajonale, të promovojë zhvillimin e sportit në vendet e Ballkanit dhe të forcojë bashkëpunimin midis federatave kombëtare të peshëngritjes.
Shqipëria, me kontributin e saj të rëndësishëm në këtë federatë, ka krijuar një platformë për shkëmbimin e përvojave dhe përmirësimin e rezultateve sportive në rajon. Zyra e Federatës Ballkanike të Peshëngritjes do të jetë në Tiranë.
GJOZA – Në një prononcim për “Panorama Sport”, presidenti i Federatës Ballkanike, Elez Gjoza, ka folur për avantazhet që do të ketë Shqipëria nga krijimi i kësaj federate: “Ky është rasti i parë që zgjidhet një president dhe një zyrë e tillë në Tiranë siç është Federata Ballkanike. Avantazhet për Shqipërinë do të jenë të shumta. E para kjo do të jetë një ndihmë e madhe për Federatën Shqiptare të Peshëngritjes.
Do të jetë një ndihmë për financat, për bazën materiale, për projekte të ndryshme. Janë shumë gjëra dhe krijimi i Federatës Ballkanike do të sjellë vetëm të mira për peshëngritjen shqiptare dhe për të gjithë rajonin”, deklaroi Gjoza, i cili është gjithashtu edhe anëtar i bordit ekzekutiv në Federatën Botërore dhe Europiane.
ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"