“Thikë” me dy presa/ Të largohesh nga Reali, profesion i rrezikshëm

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 8, 2024 | 23:24

“Thikë” me dy presa/ Të largohesh nga Reali, profesion i rrezikshëm

Largimi nga Reali i Madridit duke qenë i rëndësishëm është kthyer në një profesion të rrezikshëm vitet e fundit. Pasojat e një vendimi të tillë mund të jenë fatale për karrierat e lojtarëve.

761d13c0-c18d-11ed-95f8-0154daa64c44

Kasemiro, i anatemuar në “Old Trafford” pas humbjes se Junajtidit kundër Liverpulit, apo Rafael Varan, i lënë jashtë nga lista e Komos në Serinë A, janë rastet më të fundit që iu bashkuan një mallkimi që preku gjithashtu edhe emra gjigantë të klubit të bardhë, Kristiano Ronaldo, Serxhio Ramos, Kejlor Navas, Asensio…

Pa pasur nevojë të kthehemi shumë më mbrapa, më 26 maj 2018, Reali mposhti Liverpulin (3-1) në finalen e Champions League në Kiev. Atë natë, Kristiano la të kuptohet se koha e tij si lojtar i Realit kishte mbaruar. Në skuadrën titullare të Zinedin Zidanit ishin: Kejlor Navas; Karvahal, Serxhio Ramos, Varan, Marselo; Kasemiro, Kros, Modriç, Isko; Benzema dhe Kristiano. Minuta patën dhe Naço, Bejl (heroi i asaj mbrëmjeje) dhe Asensio.

Nga këta 14 lojtarë, vetëm Karvahal dhe Modriç mbeten në skuadër. Dymbëdhjetë të tjerët kanë ndryshuar fanellën ose jetën e tyre. Sipas radhës, i pari i prekur do të ishte Kejlor Navas, i nënshkruar nga Levante në vitin 2014. Kostarikani fitoi tre Champions League me skuadrën madrilene. Pas asaj finale të 2018-ës, ardhja e Kurtua do t’i shkurtonte minutat.

Ai zgjati një vit para se të transferohej te PSG në verën e 2019-ës. Në klubin francez humbën një finale të Ligës së Kampionëve, e cila u luajt pa audiencë për shkak të pandemisë, (2020), kundër Bajernit dhe shfaqja e Donarumës ia bllokoi portën. U huazua te Notingam Forest në vitin 2022 dhe tani i kthyer në Paris mbetet në një rol dytësor.

SERXHIO RAMOS – U largua nga Madridi në verën e vitit 2021, pasi nuk arriti një marrëveshje për rinovimin e tij. Qendërmbrojtësi, një simbol i klubit, nënshkroi për dy sezone me PSG-në, në të cilat ai nuk ishte në gjendje të rikuperonte nivelin që kishte shfaqur si lojtar i Realit. Sezonin e kaluar u kthye në Spanjë te klubi i tij fëmijërisë, Sevilja. Ai është pa ekip në këtë fillim sezoni.

RAFAEL VARAN – U largua në verën e vitit 2021. Qendërmbrojtësi kishte fituar katër Champions League përpara se të transferohej te Mançester Junajtid, i cili pagoi afro 50 milionë euro. I kushtëzuar nga lëndimet, ai nuk ia doli kurrë. Këtë verë u transferua në Komo, por klubi i drejtuar nga Fabregas nuk e ka përfshirë në listën e Serisë A.

KASEMIRO – U largua me dëshirën e tij nga Reali verën e vitit 2022 pas një oferte marramendëse nga Junajtid. Anglezët shpenzuan 70 milionë euro për brazilianin. I afruar në “Old Trafford” për t’i dhënë ekuilibër në mesfushë Junajtidit, aventura në Mançester nuk po shkon si duhet. Jo gjithnjë për faj të tij, por Kasemiro nuk është ai i Realit.

KRISTIANO RONALDO – Në verën e vitit 2018 u finalizua kalimi i tij te Juventusi, i cili pagoi 100 milionë euro për të. Tre sezone në Itali, përfunduan pa synimin e bardhezinjve për të fituar një Champions. Në vitin 2021 ai u nda me klubin torinez. Pas muajsh thashetheme, portugezi u rikthye te Mançester Junajtid, skuadra që shërbeu si katapultë drejt Madridit dhe ku fitoi “Topin e Artë” të parë. Më shumë polemika dhe intervista bombë që çoi në divorcin e tij me Junajtidin. Në dhjetor 2022 kaloi në Arabinë Saudite te Al- Nasr.

BENZEMA – Një largim i papritur ishte ai i Karim Benzemasë në fund të sezonit 2022-2023. Sulmuesi francez kishte fituar gjithçka me Realin dhe ishte ylli i tyre më i madh në atë kohë. Sulmuesi preferoi të braktiste futbollin elitar dhe të strehohej në një ekip tjetër saudit, Al-Itihad.

ASENSIO – Po kërkonte në Paris minutat që nuk mundi t’i kishte te Reali. Spanjolli është në vitin e dytë Paris dhe Luis Enrike nuk i ka dhënë atij vendin e titullarit në një skuadër plot me burime sulmuese. Largimi nga Reali i Madridit dhe suksesi në këtë profesion është kthyer në një sfidë për futbollistët vitet e fundit.

Përgatiti: LEDJO SEFERKOLLI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"