Tifozët bëhen çështje te Vllaznia, presidenti Xhaferi: Erdhën vetëm 700 vetë
Po të shikosh tabelën e renditjes së Superiores, mund të përfytyrosh lehtë një ambient mjaft entuziast në Shkodër. Vllaznia kryeson e vetme dhe klubi e tifozët e saj duhet të jenë në “qiellin e shtatë”, por nuk është tamam kështu, sepse ka lindur ka një çështje mes palëve që para ndeshjes me Bylisin.Nuk mund të quhet konflikt, por klubi dhe tifozët nuk shkojnë në unison për një arsye deri diku banale, që nuk ka të bëjë fare me çmimin e biletave. Dita pas fitores me Bylisin është shoqëruar me replika në rrjetet sociale, që lindën pas një postimi të presidentit Alban Xhaferi, me këtë të fundit që u është përgjigjur për çështjen në fjalë shumicës së tifozëve, por edhe dy ish-futbollistëve të Vllaznisë, si Sajmir Patushi dhe Skerdi Bejzade. Përtej komenteve vlerësuese karshi tifozëve dhe ftesës për “bashkëpunim”, nga fjalët e Xhaferit nënkuptohet se ka edhe një pakënaqësi për pjesëmarrjen e tyre në stadium.
ÇFARË NDODHI – Klubi shkodran nuk nxori në shitje para ndeshjes me Bylisin biletat e sektorit C5 të “Loro Boriçit”, ku qëndrojnë “Vllaznit Ultras”. Këta të fundit reaguan në rrjetet sociale, duke kërkuan vendin e tyre të zakonshëm, por klubi nuk hapi rrugë dhe ultrasit e Vllaznisë u vendosën në cepin e tribunës karshi të stadiumit. Çështja u komentua jo pak në opinionin futbolldashës shkodran dhe në këtë histori ndërhyri edhe kryebashkiaku i Shkodrës, Benet Beci, i cili doli në krah të tifozëve. Një pjesë e mirë e tifozëve janë fokusuar te fitorja e skuadrës së zemrës dhe kreu i renditjes, ndërsa “Vllaznit Ultras” sërish duan vendin e tyre të përhershëm.
MESAZHI I XHAFERIT – Një ditë pas fitores me Bylisin, presidenti Xhaferi bëri këtë postim në profilin e tij: “Eshtë shumë më fisnike t’i shmangesh situatat e pakëndshme përmes heshtjes, sesa t’i tejkalosh ato përmes grindjes”. Mund të jetë një reagim ndaj tifozëve direkt, apo edhe ndaj kryebashkiakut Beci. Disa e kanë mbështetur këtë “tezë”, duke vlerësuar “heshtjen” që përmend kreu i klubit kuqeblu, disa të tjerë janë kundër dhe kërkojnë që çështja të sqarohet dhe të zgjidhet. Presidenti Xhaferi u është përgjigjur thuajse të gjithëve atyre që kanë komentuar, duke ofruar bashkëpunim për të mirën e Vllaznisë. Megjithatë, në disa reagime të tij, si për shembull “Nuk ka çfarë reagimi të bëjë klubi, kur në stadiumin ishin vetëm 700 tifozë”, kuptohet që ka një pakënaqësi për mbështetjen e tifozëve në stadium. Xhaferi e argumenton vendimin e klubit për mbylljen e sektorit C5 me anën vizuale të stadiumit, pra për të mos i pasur tifozët të shpërndarë. Ai përmend gjithashtu optimizimin e kostove, që do të thotë sa më pak sektorë të hapur në stadium, aq më pak stjuartë dhe më pak kosto. Dhe këto dy pika palët ndahen.
PATUSHI-BEJZADE – Mes atyre që reaguan për këtë çështje janë edhe dy lojtarë të Vllaznisë, Patushi dhe Bejzade. “President, heshtja nuk zgjidh gjë, vetëm trazon më shumë ujin dhe e çon tek ata që s’e duan Vllazninë. Dialogu ose gjuha e përbashkët me ultrasit sjell progres, se nuk ka vende në botë që u mbyll derën e stadiumit tifozëve. Sa presidentë ikin e vijnë, por ngjyrat janë të qytetit dhe tifozëve, sidomos utrasit”, shkruan Patushi. Bejzade bën dhe pak humor: “Vllaznia pa ultrasit kuqeblu nuk quhet Vllazni. Cit: Gjergj Fishta”, shkruan ai. Të dyve presidenti Xhaferi u është përgjigjur me shumë respekt. Tani pritet të shihet cila palë do të hedhë hapa drejt “pajtimit”.FATJON RUPI-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"