“Tifozët janë një shtysë e madhe për ne”, Ramadani: Të gjithë duam fitoren, ja çfarë ndryshojmë kësaj radhe ndaj Çekisë
Mesfushori i Shqipërisë, Ylber Ramadani ka dalë në konferencën për shtyp ku iu është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve në prag të ndeshjes me Çekinë.
Kundërshtari më i vështirë? – Të dy kundërshtarët janë të fortë, kanë luajtur në Europian. Synimi i tyre është kualifikimi, por ne mendojmë vetëm ndeshjen e radhës ndaj Çekisë, pastaj Ukrainën. Nuk do të jetë e lehtë pasi janë kundërshtarë të fortë. Çekia është skuadër fizike, por ne jemi duke u përgatitur. Avantazhi jonë i vetëm janë tifozët që do t’i kemi në “Air Albania”, kjo është një shtysë e madhe për ne.
Vendi i parë në grup? – Në futboll funksionon ndeshje pas ndeshje. Unë mendoj që presion kemi gjithmonë, por ne e dimë si ta menaxhojmë dhe e dimë si duhet të luajmë me Çekinë. Atje u mundëm nga duelet dhe topat e gjatë, por mendoj që këtu do të jetë një ndeshje ndryshe. Duhet të futemi në fushë shumë seriozisht dhe ta menaxhojmë presionin në mënyrën e duhur.
Reparti i mesfushës? -Unë nuk e kam problem, pasi ambientohem shumë shpejt në fushë. Me lojtarët që luajnë më shumë në sulm nuk kam problem, pasi duhet të rri mbrapa të ndihmojë mbrojtjen. Kjo është detyra ime. Zgjedhjet i bën trajneri, por unë nuk e kam problem. Nuk lodhem asnjëherë (qesh), jap gjithçka.
Humbja në Pragë me Çekinë? – Jo, nuk i shikoj notat që vendosen kurrë. Shikoj vetëm analizën e trajnerit.
Sa e vështirë është të luash ndaj Çekisë? – Sulmuesi i Çekisë është i gjatë dhe duhet ta mbulojmë dy veta. Ashtu e pësum golin e parë në Çeki, janë skuadër shumë fizike. Duhet ta menaxhojmë shumë mirë sulmuesin e tyre.
Fitorja ndaj Çekisë? – Normalisht, të gjithë kemi ardhur që të marrim në të dyja ndeshjet rezultate pozitive. Do bëjmë maksimumin.
Çfarë duhet të ndryshojë Shqipëria nga ndeshja e parë me Çekinë? – Mendoj që duhet të ndryshojmë qasjen dhe përkushtimin në ndeshje.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"