Tifozët presin ndryshimin e madh, kapiteni i Erzenit para Kastriotit: Koha e kthesës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 29, 2024 | 12:05

Tifozët presin ndryshimin e madh, kapiteni i Erzenit para Kastriotit: Koha e kthesës

Në Shijak nuk kanë kohë për të humbur dhe për justifikime. Ndaj të dielën në orën 16:00, pritet ndryshimi i madh ndaj Kastriotit në “Tofik Jashari”.

Erzeni

Në prag të kësaj sfide, për “Panorama Sport” kapiteni i Erzenit Elvis Gjoni, u shpreh:

“Edhe pse u mundëm minimalisht nga Pogradeci në sekondat e fundit të shtesës, Erzeni ishte pranë marrjes së pikës së parë, në sajë të një loje që po vjen në rritje. Të dielën luajmë në shtëpi dhe duke qenë para tifozërisë sonë, llogaritë bëhen vetëm për fitore. Edhe pse nuk kemi marrë asnjë pikë apo shënuar gola, në këtë takim duhet ta kthejmë në festën në stadium”, thotë ai.

GRINTË- Mbrojtësi i majtë kërkon nga ekipi që t’i harrojë rezultatet e fillimit dhe duke nisur nga Kastrioti, Erzeni të tregojë grintë dhe dëshirë për fitore. “Pozicioni që kemi në renditje pas 5 javëve të para e bën shumë të rëndësishme për ne ndeshjen me Kastriotin. Nuk ka alternativë tjetër veç fitores. Çdo rezultat tjetër do të na e vështirësojë rrugën tonë në këtë kampionat. Për vetë pozitat që kemi, çdo javë do të jetë finale për ne. Fitorja ndaj Kastriotit, jo vetëm na ndihmon të dalim nga ngërçi psikologjik, por na motivon për vazhdimësinë, edhe pse kampionati është i gjatë”, përfundoi kapiteni.

ALBERT ALIKO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"