“Tirana e fortë, por Bylisi nuk gabon në shtëpi”, kapiteni Abazaj analizon javët e para

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 6, 2024 | 20:55

“Tirana e fortë, por Bylisi nuk gabon në shtëpi”, kapiteni Abazaj analizon javët e para

Ballshiotët tashmë do të rikthehen në shtëpi, pasi të mërkurën presin ekipin bardheblu, ku do të kërkohen tri pikët. Bylisi, dy javë më parë mundi Dinamon dhe të njëjtën gjë do të kërkojë dhe arrijë edhe ndaj bardhebluve, që kanë shfaqur një formë të mirë në tri javë që kanë kaluar.

MARIN ABAZAJ BYLIS

Marin Abazaj, kapiteni i skuadrës ka eksperiencë, sepse jo vetëm që ka luajtur në Superiore me mallakastriotët, por ka eksperienca të shkuara edhe me Dinamon, Tiranën e Pogradecin. Në Laç ai tregoi siguri në prapavijë, ndërsa u shfaq si lider. Ndeshje pas ndeshje ka krijuar besim e siguri, por edhe eksperiencën e duhur. Abazaj analizon ecurinë pas 3 javësh dhe sipas tij, Bylisi ka treguar se do të jetë një “kockë e fortë”, e madje edhe ka ende shumë për të treguar.

“Në këto 270 minuta që kanë kaluar, Bylisi ka ardhur në rritje, madje kjo është vënë re sidomos në dy sfidat e fundit, kundër Dinamos dhe Laçit. Kemi marrë katër pikë, por mendoj se duhet të kishim më shumë, megjithatë ajo që mua më pëlqen është fakti që po rritemi në lojë dhe fizikisht jemi shumë mirë. Madje, kemi edhe një organikë të bollshme dhe freskinë fizike. Trajneri dhe stafi kanë punuar shumë me ne dhe unë jam optimist për vijimin e garës. Natyrisht që nuk do ta kemi aspak të ehtë, por me kontingjentin që ne kemi, unë jam i bindur se do t’ia dalim.

Mendoj se edhe kjo periudhë ndërprerje ne na bën shumë mire, sepse në gjykimin tim kanë ardhur shumë lojtarë në ditët e fundit para se të mbyllej merkato. Kjo kohë na vlen që ata të ambientohen më shumë dhe kur të rinisë gara ne të jemi ‘top’, por edhe të futemi me një tjetër ‘marsh’ në takimet e kampionatit. Presim Tiranën në fushën tonë dhe që në fillim të kësaj jave ne jemi përqendruar te kjo sfidë. Tirana ka traditë si ekip dhe kontingjent cilësor, prandaj duhet që të punojmë shumë këtë periudhë dhe të qëndrojmë të fokusuar te kjo ndeshje”, tha Marin Abazaj.

ERJON SALIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"