Tirana-Elbasani, rikthimi i një rivaliteti si dikur! Fitorja e fundit shkonte për… bardheblutë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 16, 2024 | 8:43

Tirana-Elbasani, rikthimi i një rivaliteti si dikur! Fitorja e fundit shkonte për… bardheblutë

Rikthim i një rivaliteti. Kjo është Tirana-Elbasani. Dy skuadrat i kanë dhënë tonusin në sezonet 2004-2008, kthejnë “luftën” mes tyre në një ndeshje prestigji në “Air Albania”.

Nevil Dede dhe Devi Muka, kapitenët historikë të Elbasanit dhe Tiranës gjatë një dueli në sezonin 2008-2009

Nevil Dede dhe Devi Muka, kapitenët historikë të Elbasanit dhe Tiranës gjatë një dueli në sezonin 2008-2009

Verdheblutë duan të ruajnë vendin e parë, ndërsa Tirana, të marrë fitoren e parë, ndonëse është skuadra e pamposhtur e Superiores. Një duel, që të kthen pas në kohë e të kujton jo vetëm përballjen sportive në fushë, por edhe garën në shkallët e stadiumit. “Fanatics” e “Tigrat verdheblu” gjithmonë e kanë mbushur stadiumin. Gjithmonë kanë dhënë spektakël si në kryeqytet dhe Elbasan. Mjafton që të kujtojmë që tek Elbasani në vitet e arta kanë luajtur emra si Dede apo Sina, ikona bardheblu.

Për të mos harruar duelin e famshëm Muka-Dede, me këtë të fundit që ishte trajneri, i cili ktheu Elbasanin në Superiore. Kujtime të bukura që të hënën do të shtojnë të tjera faqe në librin e historisë. Për të gjetur një Tirana-Elbasani duhet të kthehemi në 18 prill 2015. Në atë ndeshje, bardheblutë kanë fituar 1-3 përballë verdhebluve, në stadiumin “Gjorgji Kyçyku” të Pogradecit, paçka se ishte ndërtuar “Elbasan Arena”, ku ekipi asokohe i Maganit dominoi lojën.

Një gol i shpejtë i Jaupit i shokoi jo pak Tiranën. Përtej vështirësive, kthesa erdhi falë golave të Hyshmerit, Bushiçit e Bakajt. Tirana i ka në favor shifrat kundër Elbasanit. Ajo nuk thyhet që prej 2008-ës. Humbja e fundit daton më 9 nëntor 2008, kur verdheblutë fitonin në “Ruzhdi Bizhuta” me shifrat 1-0, me një gol të Abazajt. Sakaq, në sezonin e fundit që luanin bashkë në Superiore 2014-2015 sezon statistikat flasin për bardheblutë. Në katër ndeshjet e fundit luajtura mes skuadrave, kryeqytetasit i kanë fituar të gjitha (në shtëpi 2-0, 2- 1 dhe në Elbasan 2-3 e 1-3 në Pogradec).

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"