Tirana gjen mesfushor, vjen Smaçi nga… Izraeli! Bardheblutë nisin plotësimin e grupit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 9, 2025 | 8:16

Tirana gjen mesfushor, vjen Smaçi nga… Izraeli! Bardheblutë nisin plotësimin e grupit

Erisildo Smaçi është afrimi i dytë në këtë merkato për Tiranën.

SMACI

“Panorama Sport” mëson ekskluzivisht se mesfushori 26- vjeçar i është bashkuar bardhebluve, pas eksperiencës që zgjati 6 muaj në Izrael me Bnei Jehuda. Lezhjani pritet të zyrtarizohet nga bardheblutë, që më parë kanë prezantuar Emanuel Ernest. Futbollisti dje nisi menjëherë stërvitjen nën urdhrat e trajnerit Gugash Magani, por nuk dihet nëse do të jetë i gatshëm për takimin që bardheblutë do të zhvillojnë me Vllazninë.

Smaçi është një mesfushor qendre dhe në dy sezonet e mëparshme ishte pjesë e Dinamos. Për të u përfol dhe një kalim te Partizani ku ka dhënë kontribut në ekipin e moshave. Më tej Smaçi ka luajtur dhe për Laçin, Shënkollin, dhe Apoloninë. Sezonin e fundit mesfushori ka qenë pjesë e Bnei Jehudas dhe është aktivizuar në gjashtë takime. Lojtari ka qenë në fushën e lojës 269 minuta.

MERKATO – Dy afrimet janë pak për bardheblutë. Tani qëllimi është që Tirana të plotësohet në mesfushë. Është bërë me dije se bardheblutë janë shumë pranë marrëveshjes me një mesfushor të huaj që luan në qendër të këtij reparti ku Tirana disa mungesa. Nga ana tjetër, trajnerit Magani i është konfirmuar fakti se skuadra do të jetë e plotësuar në janar, paçka problemeve me merkaton e bllokuar prej Tolës dhe largimit të lojtarëve.

TË PASHITSHMIT – Burime te Tirana bëjnë me dije se bardheblutë kanë disa lojtarë të pashitshëm. Ata janë Kola, Dembele, Zharmuni dhe Abah. Për të katër lojtarët, presidenti Refik Halili ka kërkuar që të mos ketë asnjë lëvizje, por mbetet për t’u parë deri në fund të merkatos.

OLSI AVDIAJ-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"