“Tirana ka nevojë për besim”, trajneri Shkëmbi: Elbasani është “trampolina” e derbit, fitojmë ne!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 16, 2024 | 14:45

“Tirana ka nevojë për besim”, trajneri Shkëmbi: Elbasani është “trampolina” e derbit, fitojmë ne!

Trajneri i Tiranës, Bledi Shkëmbi kërkon fitoren e parë në kampionat në sfidën me Elbasanin. Ndonëse pranon se hija e derbit nuk shqitet nga skuadra, pasi kjo është normale, ai do që gabimet e Ballshit të mos përsëriten. Në një prononcim për “Panorama Sport”, Shkëmbi analizoi sfidën e kaluar dhe objektivat për sfidën që do të luhet të hënën në kryeqytet në orën 19:00.shkembiPas katër barazimesh radhazi, a është koha që Tirana në kampionat, të kthehet te fitoret?

Edhe ne e mendojmë dhe e shpresojmë shumë që do të fitojmë. Vijmë pas katër barazimeve. Do të donim që të kishim ndonjë pikë më shumë. Mendoj se meritonim të kishim disa pikë më shumë, por jemi përballë një fakti konkret dhe duhet të bëjmë më shumë për të marrë pikët që duam.

Për shkak të rezultateve, mendoni se ekipi ka hyrë në një ngërç psikologjik?

Jo nuk e shoh skuadrën që është apo ka hyrë në një ngërç psikologjik. Edhe lojtarët nuk i shoh në këtë gjendje, pavarësisht se nga ndeshja e fundit, unë personalisht dhe skuadra, që e ka treguar edhe në analizën që bëmë gjatë javës, nuk jemi të kënaqur me mënyrën sesi luajtëm ndeshjen e fundit. Sidomos në pjesën e parë. Nga ana tjetër, patjetër që kjo skuadër ka nevojë për besim. Ekipin e shoh shumë mirë.

Një fakt i çuditshëm. Jeni një ekip i pamposhtur, por nuk keni arritur të fitoni dhe keni katër pikë. Ju shqetëson ky fakt?

Nuk merrem me pjesën që jemi të pamposhtur, por jam i shqetësuar për pikët. Do të doja ndonjë pikë më shumë. Më mirë të kishim humbur ndonjë takim dhe të fitonim të tjerë. Tej të gjithave, unë skuadrën e shoh mirë, pavarësisht faktit që kemi shumë lojtarë, të cilët luajnë për herë të parë në Superiore. Në ndeshjen e fundit, pas pjesës së parë, ne reaguam, dhe kjo ishte shumë e rëndësishme. Nuk patëm eksperiencën dhe kujdesin e duhur për pak sekonda që të merrnim tri pikë.

Ke një vlerësim për Elbasanin?

Mendoj se është një skuadër e fortë. Një skuadër e mirë. E kam parë me vëmendje. Patjetër që kam qenë kurioz si me të gjitha skuadrat. E kemi analizuar dhe mendoj se është një ekip për t’u vlerësuar.

Rikthimi, duke luajtur në shtëpi është një favor më shumë për këtë Tiranë?

Patjetër, që po. E mendoj si një favor goxha të madh. Kemi luajtur katër ndeshje jashtë, ndonëse me Egnatian mund të thuhet se luanim në fushën e tonë. Ky klub, kjo skuadër, kjo fanellë, meriton të luajë në atë stadium që do të përballemi nesër(sot), dhe patjetër që ne e shohim si shtëpinë tonë.

Dy ndeshjet e radhës janë Elbasani dhe derbi. Skuadra është e fokusuar tek Elbasani apo syri është te Partizani?

Në fakt unë e di. Dhe paçka se çfarë mund të thuash në teori, gjithmonë ndeshjet e rëndësishme derbi të tërheqin. Ama ne nuk jemi në një pozicion aq komod sa të mendojmë për një ndeshje pas kësaj të radhës që është Elbasani. Takimi me Elbasanin është shumë i rëndësishëm lidhur edhe me derbin. Duhet të bëjmë një ndeshje të rëndësishme me Elbasanin, pra të fitojmë dhe të jemi të qetë për derbin, që ta luajmë mirë dhe bukur.

OLSI AVDIAJ-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"