“Tirana më pëlqen, Shkëmbi zgjedhje e goditur”, Bedri Omuri: Një pikë kundër Ukrainës s’do ishte keq për Kombëtaren

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 6, 2024 | 22:18

“Tirana më pëlqen, Shkëmbi zgjedhje e goditur”, Bedri Omuri: Një pikë kundër Ukrainës s’do ishte keq për Kombëtaren

Bedri Omuri është i kënaqur me paraqitjen e Tiranës në tri javët e para të kampionatit. Në një intervistë për “Panorama Sport”, ish-mesfushori bardheblu analizon ekipin. Thotë se skuadra është goditur si në trajner dhe në afrime.

Omuri

E pëlqen se luan si grup, por i mungon vetëm një gjë. Fitorja. Rezultat që do të vijë. Omuri deklaron se ekipi do të rritet dhe do të kualifikohet në “Final 4”. Dy fjalë edhe për kombëtaren bardheblu.

Z. Omuri, si e vlerësoni ekipin e Tiranës në këto tri javë të para të kampionatit?

Në këto tri ndeshje të kampionatit, Tirana më ka pëlqyer. Edhe pse ka lojtarë të rinj në ekip dhe që nuk e njohin Superioren, duke parë lojën dhe aq më tepër ndeshjen në Shkodër, e cila ishte e mirë, ekipi ka treguar cilësi.

Dhe realisht mund ta fitonte atë sfidë, pavarësisht sesi shkoi loja në fund. Me Egnatian luajti sërish mirë, por rrogozhinasit janë të konsoliduar. Disa lojtarë kanë vite që janë bashkë. E përgjithshmja është e mirë dhe Tirana ka dhënë shenja pozitive. Nuk ka fituar, por as nuk ka humbur dhe kjo është një plus për grupin.

Ama edhe pse janë shumë barazime, duhet fitorja?

E thashë që duhen tri pikët, por më ka pëlqyer si luan në grup. Kam parë lojtarë luftarakë që i zbatojnë me korrektësi detyrat që u jep trajneri.

Strategjia që vendosi klubi për të larguar 11 vetë dhe marrë të rinj, a po jep frytet e saj?

E kam parë. Ekipi është i ri, por edhe mosha është e re. Unë e shoh si një shenjë pozitive. Do të shohim në ndeshjet në vazhdim. E shoh një ekip në rritje. Shpresoj që të ngrihet dhe jo të ulet, por kam besim se do të marrë rezultate në kampionat dhe të ecë sa më përpara. Po vazhdoi me këtë intensitet them se do të fitojë dhe do të ecë mirë, më mirë se vjet dhe do të tregojë se strategjia ishte e duhura.

Me këtë që keni parë në fushën e lojës, mund të themi se Tirana e arrin “Final 4”?

Them se konkurrente do të jetë. Po të vazhdojë kështu, me lojën në grup, e cila më pëlqen dhe do t’i japë rezultatet në vazhdim, e arrin “Final 4”. Konsolidimi do të jetë më i mirë, pasi do të kenë më shumë kohë.

Tri barazimi dhe asnjë fitore. Mendoni se skuadra vuan pak në sulm?

Po krijojnë shumë raste, por siç duket lojtarët e golit nuk janë gati apo na mungojnë. Shpresoj që të shënojnë në vazhdim. Tani duhet që lojtarët të tregojnë veten, pasi edhe ndeshjet sa vinë e forcohen.

Shkëmbi duket si zgjedhje e duhur për Tiranën?

Deri tani si ai dhe lojtarët hyjnë te zgjedhjet e duhura. Shpresoj që të vazhdojnë me këtë temp.

Kampionati duket se është më kompetitiv sesa vjet. Si e keni parë ju Superioren?

Normalisht këtë vit është i fortë. Të gjitha ekipet pretendente kanë lënë pikë, duke filluar nga Egnatia, Vllaznia e deri te Partizani që janë më para në përgatitje, pasi kanë luajtur në Europë.

Sivjet Superiorja ka afruar shumë lojtarë të huaj. Një goditje për moshat në Shqipëri?

Siç duket edhe nuk punohet mirë me moshat. Unë them se Tirana ka nxjerrë nga akademia lojtarë. Ndoshta klubet nuk i presin lojtarët të piqen dhe duan futbollistë gati, që të fitojnë dhe të shkojnë në Europë për të fituar para.

Normalisht edhe ana financiare është e rëndësishme për këtë situatë që kemi. Në këto kushte marrin lojtarë të huaj, që nuk është se kanë ndonjë nivel të lartë. Me lojtarët shqiptarë nuk kanë dallime, por ky është mentaliteti i përgjithshëm apo presioni i menaxherëve. Kjo bën që klubet të kenë më shumë besim te të huajt sesa lojtarët tanë.

Edhe pse është ende shumë shpejt, sipas jush cila është katërshja e “Final 4”?

Pak a shumë të njëjtat ekipe do të jenë. Vllaznia, Egnatia, Tirana, Partizani. Ndoshta mund të hyjë edhe Dinamo. Ardhja e Ilir Dajës sjell eksperiencë te Dinamo.

Një opinion për Kombëtaren?

Janë dy ndeshje të vështira. Aq më tepër që luajnë në transfertë. Shto këtu që nga lojtarët në Europë, shumë pak aktivizohen. Gjimshiti që është stabël, ka dëmtim. Nuk e di çfarë gjendje do të kenë lojtarët e tjerë. Minutat e munguara të lojtarëve do të jenë një minus për ne. Shto këtu që me Ukrainën luhet në Çeki. Ukraina ka ekip të mirë dhe të shpejtë. Lojtarë që luajnë në skuadrat më të mira Europiane. Mbivlerësim nuk ka, por do të jetë një ndeshje e fortë.

Do të ishte mirë të merrnim rezultat pozitiv, qoftë edhe një pikë nuk do të ishte keq për ne. Gjeorgjia ka një skuadër në ngritje, sigurisht me atë që pamë në Europian. Kjo edhe falë kampionatit të tyre. Skuadrat gjeorgjiane kanë kaluar disa ture në Europë dhe kanë ngritje në kampionat, pasi luajnë si grup. Futbolli është lojë grupi dhe jo individësh. Asnjë nuk ka Mesin që bën diferencën në ekip, kështu që duhet të luash në grup.

OLSI AVDIAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"