Tirana me pesë kampione, Julia Xhako 10-vjeçarja e rekordeve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 8, 2019 | 11:05

Tirana me pesë kampione, Julia Xhako 10-vjeçarja e rekordeve

Sporti i notit në Shqipëri po masivizohet çdo ditë dhe më tepër me fëmijë të shumtë që stërviten në skuadra të ndryshme në të gjithë vendin. Njëra prej notareve që së fundmi po spikat në garat e organizuara nga FSHN është Julia Xhako.

WhatsApp-Image-2019-06-28-at-18.30.13-e1561739562263

10-vjeçarja e skuadrës së Tiranës po dhuron rezultate të shkëlqyera në të gjitha aktivitetet e notit në vendin tonë. Julia, e cila ka më pak se dy vite që stërvitet me trajnerin e klubit bardheblu Arian Fetishaj, ka tërhequr vëmendje që në fillimet e saj në sportin e notit, ndërkohë që tashmë rezultatet e arritura janë shumë premtuese.

Në eventin mbarëkombëtar që u zhvillua pak javë më parë në Durrës, ajo theu dy rekorde kombëtare për moshat 9-10 vjeçe, ku në disiplinën 50 metra stil i lirë dhuroi kohën 34″09 duke përmirësuar rekordin e mëparshëm 34″44. Ndërsa në disiplinën 100 metra stil i lirë, vendosi rekord të ri kombëtar 1′ 14” 23.

Për sa i përket kampionatit kombëtar të fëmijëve që u mbajt në pishinën e Akuadromit në kryeqytet, Julia i përmirësoi sërish këto rekorde, duke i kaluar në 33″12 dhe 1′ 12″78. Ajo vendosi gjithashtu edhe një rekord të ri në disiplinën 50 metra delfin, ku regjistroi kohën 35″37, nga 36″04 që ishte rekordi i mëparshëm.

Rezultate që janë një tregues i qartë se Julia Xhako është një sportiste me të dhëna të shkëlqyera dhe që premton shumë për të ardhmen. Në kampionatin kombëtar të fëmijëve, përveç Julias, Tirana nxori edhe katër kampione të tjera: Juga Selimi triumfoi në disiplinën 100 metra delfin. Në 100 metra bretkosë u shpall kampione Julka Gjilo. Alis Pasko ishte më e mira në 50 metra shpinë. Ndërsa Ami Fetishaj bëri diferencën në 200 metra katërnotim.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"