Titullar në ndeshjen ndaj Torinos, Medon Berisha: E mësova vetëm sot, nuk jam kurrë i kënaqur nga vetja

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 15, 2024 | 22:00

Titullar në ndeshjen ndaj Torinos, Medon Berisha: E mësova vetëm sot, nuk jam kurrë i kënaqur nga vetja

Medon Berishës sot iu besua një vend si titullar në mesfushën e Leçes dhe futbollisti shqiptar nuk zhgënjeu në rolin e organizatorit te skuadra e cila siguroi një barazim pa gola përballë Torinos. I pyetur pas ndeshjes rreth paraqitjes së tij, mesfushori shqiptar u shpreh se ishte gjithmonë i gatshëm për të dhënë kontributin në fushë në një skuadër ku ka shumë rivalitet.

berisha

“Ne pritnim të kishim përballë një Torino të fortë dhe kështu ishte, edhe pse e nisëm mirë, Kjo ndoshta i surprizoi ata paksa. Kemi bërë një paraqitje të mirë, por nuk jemi të lumtur, pasi sipas meje, mund të merrnim tre pikët në këtë ndeshje.

Në mesfushë luajmë me tre, unë mund të bëj atë të qendrës ose edhe organizatorin, me Ramadanin dhe Kulibali të cilët kanë më shumë detyra mbrojtëse. Padyshim që ka cilësi te të gjithë lojtarët. Jemi një skuadër me të vërtetë e fortë dhe e dimë. Duhet t’i japim vazhdimësi.

Paraqitja? Nuk jam asnjëherë i lumtur me paraqitjet e mia dhe mundohem gjithmonë të bëj më shumë e të marr maksimumin. E mësova vetëm sot që do të kisha luajtur, nuk e mendoja. Por jam gjithmonë i gatshëm, mundohem gjithmonë të jap maksimumin në stërvitje dhe të përmirësohem në gjithçka. Në fund do të shpërblehem”, ishin fjalët e mesfushorit të Kombëtares shqiptare pas ndeshjes.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"