“Titulli nuk është çështje frike, e prisnim të dilnim kampionë dimri”, rrëfehet Dejvi Bregu: Nëse vjen një ofertë…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 24, 2024 | 18:58

“Titulli nuk është çështje frike, e prisnim të dilnim kampionë dimri”, rrëfehet Dejvi Bregu: Nëse vjen një ofertë…

Dejvi Bregu nuk heziton të thotë se të gjithë të Dinamo e prisnin të merrnin titullin simbolik “kampion dimri”. Sulmuesi vlonjat i bluve, në një intervistë për ”Sport News” në “News 24”, ka treguar ndjesitë e tij për këto muaj të parë pas kthimit në Superiore.

sdffsdsfdsfdfdssdfsfdsfd

Në bashkëbisedimin me moderatoren Trevisa Tufa, Bregu ka treguar se lufta për titull nuk do të jete vetëm mes 4 skuadrave. Gjithashtu, ai ka folur edhe për të ardhmen e tij, duke theksuar se do të largohej nga blutë vetëm për një ofertë të parezistueshme.

Bregu, nuk besoj se je bërë pishman që u rikthyer në Superiore. Sikur ta bëri më të lehtë Dinamo këtë rikthim. Pse pikërisht Dinamon, çfarë të bindi?
Kisha oferta nga jashtë. Mund të them se ky vendim erdhi për shkak se marrëdhënia ime me presidentin Bardhi ka qenë e mirë që prej kohës që ka qenë bashkë-president në Durrës te Teuta. Gjatë gjithë këtyre viteve që kam qenë unë jashtë, ai është interesuar për mua të them të drejtën dhe erdhi ky bashkëpunim.

U larguat si kampion me Teutën riktheheni sërish në nivele të larta. A është titulli një objektiv i Dinamos, pse nuk e thoni me zë të lartë? Keni frikë?
Nuk është çështje frike, por edhe rivalët duhen respektuar. Të gjithë e dinë që kampione në fuqi është Egnatia. Të gjitha ekipet duan të zbresin Egnatian nga froni. Ne do shikojmë ndeshje pas ndeshje. I kemi të gjitha mundësitë. Shpresojmë që t’ia dalim në fund.

E prisnit të ishit në këto nivele Bregu, e prisnit ta mbyllnit vitin si kampion dimri?
Personalisht e prisja, gjithë grupi e priste, gjithë stafi e priste. Kemi ekip cilësor, të ndërthurur me lojtarë me eksperiencë dhe talente. Nuk na mungon asgjë, kualitet kemi, besoj se mund t’ia dalim.

Kujt i druheni më shumë, kë shihni si rival të Dinamos në garën për titull?
Nuk dua të ndaj dikë. Të gjitha ekipet janë të forta. Besoj do rivalizojnë me ne. Mendoj se është një katërshe mes nesh, Partizanit, Vllaznisë dhe Egnatias. As Elbasanin dhe as Teutën nuk i heq nga gara. Gara është e gjatë.

Flitet shumë për Ilir Dajën, për efektin Daja. Si është të punosh me të, çfarë e bën ndryshe? ju keni punuar bashkë dhe te Skënderbeu, ishte ai një nga faktorët që pranuat ofertën e Dinamos?
Patjetër që është një arsye. Unë kam punuar që në kohën e Skënderbeut, kam ruajtur raporte korrekte me të. E di mënyrën e tij të punës. Për sukseset e tij nuk është nevoja të flitet. Mentaliteti i tij fitues e bën të veçantë.

Bregu, në aspektin personal, çfarë pret nga kjo aventurë me Dinamo? Cili është objektivi juaj personal?
Golat e mi ose asistët e mi shpresoj që të përkthehen në pikë. Nëse arrihet kjo gjë, synimi im mund të konsiderohet i realizuar.

A është Dinamo një trampolinë për të kaluar sërish jashtë Shqipërisë, apo keni një plan afatgjatë te Dinamo?
Kontratën e kam të gjatë. Dihet besimi i presidentit. Di të them se jam i fokusuar te Dinamo. Nëse vjen një ofertë, duhet të jetë diçka shumë e mirë, si për klubin, ashtu edhe për mua.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"